Kompania e Elon Musk, Neuralink implanton çipin e parë në trurin e njeriut

schedule08:13 - 30 Janar, 2024

schedule 08:13 - 30 Janar, 2024

Elon Musk njoftoi të hënën se kompania e tij ‘Neuralink’ ka implantuar me sukses çipin e parë në trurin e njeriut. Njoftimi i Musk vjen tetë muaj pasi Neuralink mori miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të kryer provën e parë me qëllim testimin e implantit të saj tek truri i njerëzve.

“Rezultatet fillestare tregojnë zbulim premtues të neuroneve”, tha Musk në një postim në platformën X të hënën, duke shtuar se pacienti është në gjendje të mirë. Qëllimi i kompanisë është të lidhë trurin e njeriut me kompjuterët dhe thotë se dëshiron të ndihmojë në trajtimin e kushteve komplekse neurologjike.

Një numër i kompanive rivale kanë implantuar tashmë pajisje të ngjashme. Duke folur në platformën që zotëron X, Musk tha se produkti i parë i Neuralink do të quhej Telepathy. Sipas tij, pajisja do të mundësojë “kontrollin e telefonit apo kompjuterit tuaj, dhe përmes tyre pothuajse çdo pajisje, vetëm duke menduar”.

Neuralink përballet me rivalë, disa prej të cilëve kanë një histori që daton dy dekada më parë. Blackrock Neurotech me bazë në Utah implantoi të parën nga shumë ndërfaqet tru-kompjuter në vitin 2004.

Precision Neuroscience, i formuar nga një bashkëthemelues i Neuralink, synon gjithashtu të ndihmojë njerëzit me paralizë. Implanti i tij i ngjan një copë shiriti të hollë që qëndron në sipërfaqen e trurit dhe mund të implantohet nëpërmjet një “mikro-çarjeje kraniale”, për të cilën thuhet se është një procedurë më e thjeshtë.

Pajisjet ekzistuese kanë gjeneruar gjithashtu rezultate. Në dy studime të veçanta shkencore të fundit në SHBA, implantet u përdorën për të monitoruar aktivitetin e trurit kur një person përpiqej të fliste, të cilat më pas mund të dekodoheshin për t’i ndihmuar ata të komunikonin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!