SHBA sinjalizon se Turqia mund të luajë rol në luftën Izrael – Hamas

schedule16:31 - 9 Janar, 2024

schedule 16:31 - 9 Janar, 2024

Deri dje, analistët thonin se Uashingtoni kryesisht e kishte anashkaluar Turqinë në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, nga Stambolli, Dorian Jones – vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Turqi gjatë ditëve të fundit sinjalizon se kjo politikë ka ndryshuar.

Vëzhguesit e shohin vendimin e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për ta nisur turneun e tij të fundit në Lindjen e Mesme me një takim me Ministrin e Jashtëm dhe Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, si të rëndësishëm.

Sipas tyre mbështetja e Presidentit Erdogan për Hamasin fillimisht bëri që Uashingtoni kryesisht ta mënjanonte Ankaranë nga përpjekjet për të zgjidhur luftën Izrael – Hamas.

Vizita e zotit Blinken megjithatë tregon se Turqia mund të ketë një rol për të luajtur.

“Diplomacia turke mund të jetë e nevojshme për të bindur Hamasin që të punojë me Autoritetin Palestinez për krijimin e një force policore, apo përpjekjet kundër terrorizmit, ose edhe një lloj strukture bazë qeverisëse për Gazën. Mendoj se për këtë Turqia do të ketë një rol. Administrata amerikane e ka kuptuar se injorimi i Turqisë nuk është duke moderuar tonin e Erdoganit”, thotë zonja Asli Aydinbastas nga Instituti Brookings, me qendër në Uashington.

Uashingtoni dhe Ankaraja ndajnë gjithashtu shqetësimin për përhapjen e mundshme të luftës në Lindjen e Mesme.

Bisedimet e Sekretarit Blinken në Stamboll u përqendruan gjithashtu në anëtarësimin e Suedisë në NATO, që Turqia ende nuk e ka ratifikuar.

Presidenti Erdogan këmbëngul që fillimisht Kongresi i Shteteve të Bashkuara të miratojë shitjen Turqisë të avionëve luftarakë amerikanë F-16.

Uashingtoni megjithatë thotë se Ankaraja duhet së pari të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë.

Analistët thonë se Ankaraja është skeptike nëse presidenti Joe Biden mund të arrijë ta bindë Kongresin për shitjen e avionëve F-16 Turqisë duke pasur parasysh vështirësitë për të siguruar miratimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

“Presidenti Biden nuk mund të ushtrojë presion mbi Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve për hir të Turqisë. Ai nuk arriti ta bënte këtë në rastin e Ukrainës. Pra, si mund ta bëjë këtë në emër të Turqisë, e cila nuk jep asgjë dhe mbështet Hamasin”, thotë zonja Sezin Oney nga faqja e lajmeve politike në internet, ‘PolitikYol’.

Vëzhguesit thonë se Sekretari Blinken ka të ngjarë të paralajmërojë Presidentin Erdogan se sa më gjatë të vazhdojë ngërçi, aq më shumë do të rriten kundërshtitë ndaj Turqisë në Kongres.

Ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO i jep Ankarasë një levë të rëndësishme diplomatike jo vetëm me Uashingtonin, por edhe me Bashkimin Evropian. Analistët megjithatë paralajmërojnë se duke vonuar ratifikimin, do të vihen në dyshim motivet e tij nga aleatët e NATO-s për shkak të lidhjeve të zotit Erdogan me presidentin rus Vladimir Putin.

“Të kritikosh Turqinë se ka bërë marrëveshje me Rusinë për të bllokuar apo shtyrë zgjerimin e NATO-s, ku është përfshirë edhe Hungaria, nuk është mënyra e duhur për ta parë këtë çështje. Turqia po e bën këtë për shqetësimet e veta dhe për të përfituar maksimumin për interesin e saj kombëtar”, thotë Sinan Ulgen, analist te organizata Qendra për Studime Ekonomike dhe Poltike të Jashtme me seli në Stamboll.

Ndërsa Parlamenti turk pritet të mblidhet në fund të këtij muaji, Uashingtoni po bën presion për një votim të shpejtë mbi kërkesën e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO./VOA

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!