Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zall Herri, mes harmonisë dhe turizmit/ Fshati me rreth 2500 banorë mbështetet te bujqësia e blegtoria

schedule20:27 - 7 Nëntor, 2026

schedule 20:27 - 7 Nëntor, 2026

Në Zall Herr, jeta e komunitetit është ndërtuar mbi tokën, punën dhe marrëdhëniet mes banorëve. Për Ibrahim Rrasën, një prej banorëve të hershëm të zonës, kjo marrëdhënie e mirë mes njerëzve është një nga vlerat që e dallojnë fshatin.

“Që nga reforma e 1 gushtit 1991, kur u shpërndanë dhe u ndanë tokat për frymë, unë kam qenë kryetar i këtij komisioni. Edhe që nga ajo kohë e deri më sot, në përgjithësi fermerët e Zall-Herrit nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin për kufijtë apo ndarjen e tokës. Kjo është meritë. Kanë qenë të mirëkuptuar, sepse kur operuam për të ndarë tokat, bashkëpunuam me fshatarët dhe ramë dakord.”

Sot, Zall-Herri numëron rreth 2 mijë e 500 banorë dhe mbështetet kryesisht te bujqësia, blegtoria në shkallë të vogël dhe frutikultura



“Zall-Herri është një fshat që ka rreth 2 mijë e 500 banorë. Është me drejtim bujqësor dhe blegtoral, me ekonomi të vogla, jo me ferma të mëdha.”

Për të qëndruar në fshat, rëndësi kanë edhe shërbimet që u japin banorëve mundësinë të jetojnë e të punojnë pranë familjeve të tyre.

“Këtu jemi te qendra shëndetësore. Është e ndërtuar shumë herët dhe funksionon për të gjithë banorët e fshatrave, me të gjitha shërbimet dhe nevojat që ka në kompetencë. Ka mjekë, ka infermierë, të gjitha strukturat që duhet të jenë.”

Megjithatë, si në shumë zona të tjera rurale, edhe këtu brezi i ri lëviz drejt qytetit. Rrasa thotë se, pavarësisht këtij fenomeni, numri i banorëve të Zall-Herrit është rritur, ndërsa shkolla, qendra shëndetësore dhe rruga e asfaltuar mbeten pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme.

Por zona nuk ka vetëm bujqësinë dhe jetën e fshatit për të ofruar. Në vitet e fundit, natyra përreth dhe veçanërisht zona e Bovillës kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë.

“Ka dyndje të turistëve nga e gjithë Europa. Përdorin rrugën e Zall-Herrit dhe shkojnë deri te diga e Bovillës. Natyra është e mrekullueshme, tërheqëse për vizitorët. Po të mos ishte tërheqëse, nuk do të vinin duke u shtuar turistët.”

Nga Zall-Herri, rruga vijon drejt Bovillës dhe zonave malore përreth, ku gjelbërimi dhe peizazhi e kanë kthyer këtë hapësirë në një pikë të frekuentuar për ata që kërkojnë të largohen nga zhurma e qytetit. Mes tyre spikat edhe mali i Gambit.

“Mali i Gambit është shumë i njohur dhe shumë i vjetër. Në këtë grykë është diga e rezervuarit të Bovillës, ku ka frekuentim të jashtëzakonshëm nga turistët. Është pikë turistike. Çdo ditë vijnë për pikën e Gamnitit. Gjelbërimi e bën atraktiv. Ka një gjë të vogël: janë nja 3 kilometra rrugë pa asfalt.”

Për banorët, sfida mbetet që këto vlera të shoqërohen me kushte më të mira infrastrukturore, në mënyrë që zhvillimi i zonës të mos ndalet te potenciali, por të kthehet në mundësi konkrete për komunitetin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!