Xavi “mbyll” merkaton e “Katalanasve”: Nuk besoj se do të kemi afrime të tjera

schedule13:16 - 8 Janar, 2024

schedule 13:16 - 8 Janar, 2024

Pritej një fitore më e lehtë, mirëpo “Katalanasit” vuajtën jo pak në Kupën e Mbretit. Pavarësisht gjithçka, Barcelona ia doli të shmangte “turpin” në transfertën e skuadrës së kategorisë së katërt, Barbastro, duke i mundur këta të fundit, me rezultatin e ngushtë, 2 me 3, në një përballje, e cila u dominua tërësisht nga “Blaugranat”, të cilët nuk arrinin dot të finalizonin siç duhet.

Pikërisht për këtë fitore të vuajtur ka folur edhe tekniku Xavi, i cili pas ndeshjes është fokusuar te fakti se skuadra e tij krijon shumë raste, mirëpo në të shumtën i kohës i shpërdoron ato, duke e vendosur veten në pozita të panevojshme e më tej foli edhe për merkaton e dimrit, ku theksoi se Vitor Roque do të jetë afrimi i fundit deri në verë.

“Mendoj se ishte një fitore e merituar, kemi dominuar, kemi krijuar shumë mundësi për shënim, por nuk i kemi shfrytëzuar si duhet rastet e krijuara. Për fat të keq vazhdojmë t’i dhurojmë kundërshtarëve tanë. Kështu ndodhi dhe ndaj Barbastro që ka jo pak meritë sepse bëri një ndeshje të mirë.

Drejtuesit po punojnë për ndonjë afrim tjetër, por ju e dini se situata është e ndërlikuar për shkak dhe të “fair play”-it financiar. Nuk besoj se do të kemi ndonjë afrim tjetër në merkato të paktën deri më tani”,- u shpreh tekniku spanjoll, në fjalën e tij, duke “trishtuar” jo pak tifozët e “Katalanasve” me lajmin e mbylljes së merkatos. /i.m /abcnews.al