Një aksident tragjik i ka marrë jetën 37-vjeçarit Elton Macolli në tunelin e Elbasanit. Makina e tij ka shpërthyer në flakë pasi është përplasur me një kamion, duke e lënë të riun të vdekur në vend. Elton Maçolli është vëllai i deputetes Socialiste Blerina Gjylameti.
Në familjen Maçolli ka pllakosur zia. Djali 37-vjeçar i familjes, Eltoni ka humbur jetën në një aksident tragjik mbrëmjen e së shtunës, teksa po kalonte tunelin e Kërrabës. I riu, mësohet se është vëllai i deputetes së Partisë Socialiste Blerina Gjylameti dhe punonte si pilot në bazën ajrore të Farkës.
Sipas burimeve policore, Elton Maçolli po drejtonte mjetin tip Seat kur ka humbur kontrollin dhe si pasojë është përplasur me një kamion. Aksidenti ka ndodhur rreth 100 metra në dalje të tunelit nga Tirana për në Elbasan.
Mjeti, i përshtatur nga benzinë ne impiant gazi, ka shpërthyer në flakë, duke u shkatërruar plotësisht. I riu sipas burimeve policore e humbi jetën në vend, pa pasur asnjë mundësi shpëtimi. Identifikimi i tij mbrëmjen e së shtunës ka qenë i pamundur për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishte marrë nga flakët. Ai u arrit të identifikohej vetëm këtë të diel, nga ekspertët e morgut të Elbasanit.
Familja Maçolli, pjesë e së cilës është edhe deputetja socialiste Blerina Gjylameti, u përball me një tjetër humbje të rëndë një vit më parë. Vajza e tyre, Ilva Maçolli u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme, pasi humbi betejën me një sëmundje të rëndë./abcnews.al