Janë ditë festive në prag të ndërrimit të viteve.
Nje grup nxënësish kanë shkuar në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë për të uruar banorët e saj dhe për t’i gëzuar sadopak për të mos e ndjerë mungesën e familjes.
“Shkolla “Emin Duraku”, ju faleminderit qe na respektoni, ne të braktisurve! ju përshëndes nga zemra. Nderoni emrin e shkollës që mbani. Gëzuar festat, paçi shëndet dhe lumturi!” Me këtë mesazh iu është drejtuar fëmijëve që dhuruan momente festive në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë, një prej të moshuarve të kësaj qendre.
Shefqeti prej 10 vitesh jeton në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë. Ka humbur dëgjimin dhe e ka te pamundur te komunikoje lirshëm, ndaj dashurinë dhe falenderimin për këta fëmijë e shprehu përmes një letre.
Festat sjellin gjithmonë gëzim, si një mënyrë për të na bërë bashkë të gjithëve. Por, si në çdo ditë të jetës së tyre, mungesën e njerëzve të afërt të gjakut e ndjejnë më shumë këta të moshuar.
“Më pëlqeu që ndenja bashkë me gjyshërit se është kënaqësi të kesh të gjithë gjyshërit pranë.
Më ka ardhur shumë gjynah për gjyshërit që janë vetëm.
U gëzova shumë por edhe u emocionova pak se kam humbur dy gjyshërit.
Mua më ka humbur një gjysh dhe ndihesha sikur e kisha këtu”.
Të gjithë kanë historitë e tyre të jetës, ajo që i bashkon është fati për të qëndruar së bashku në një institucion dhe jo pranë familjeve.
Makbule Stafa është 90 vjeçe, ajo është banorja më e re e shtëpisë së të moshuarve, ku thotë se ka gjetur ngrohtësinë.
“Kalojmë shumë bukur, na japim shumë dashuri punonjësit këtu. Një djalë kam. E kam këtu në shtëpi. Përditë më vjen të më takojë”.
Makbluja tregon se ishte zgjedhja e saj të jetojë në në shtepinë e të moshuarve.
“Jam më e qetë, shërbimi që më bëhet këtu nuk mund të më bëhet në shtëpi. këtu ka shumë njerëz, nuk e ndiej vetminë. Kam shoqe. Më përgjigjen mirë, më përkëdhelin me fjalët e ëmbla të tyre”.
Ndërsa, për Mona Nokën, fati ishte ndryshe. 10 vite më parë ajo u vendos në këtë institucion për t’u larguar vetmisë.
“Nuk kam njeri, nga vetmia ërdha këtu. Këto atmosfera janë për të mirën tonë, për të na dhënë energji, për të harruar ato dramat që kemi ne, i kemi lënë pas porte.
Me thënë të drejtën isha pak moralisht e vrarë nga opinioni i njerëzve se përse do shkosh në azil. Por kur pashë këtë personel, më kthyen edhe njëherë në alegrinë që kam pasur”.
80-vjeçarja që ka shërbyer 35 vite në arsim, ruan nostalgjitë. Vështirësitë e jetës e kanë bërë një grua të fortë.
“Kam dhënë matematikë, fizikë, matematika është jeta. Gjithësecila nga shoqet kanë brengën e vet. U them mos e shfaqni. Kanë qenë zonja më parë. Unë vetëm një motër kam. Më kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës. Por tani janë larguar në Itali. Por kam gjetur ngushëllim këtu”.
Në qendrën e të moshuarve në Tiranë marrin shërbim 47 të moshuar./abcnews.al