Kosovë/ Gjykata Kushtetuese i shpall të pavlefshme disa nene të Ligjit për pagat

schedule22:25 - 26 Dhjetor, 2023

schedule 22:25 - 26 Dhjetor, 2023

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi të martën se i ka shpallur të pavlefshme disa nene të Ligjit për pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit për kushtetutshmërinë e këtij ligji.

Në një njoftim për medie, Kushtetuesja tha se “paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41, për shtesat tranzitore, dhe paragrafi 2 i nenit 45 (shfuqizimi Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës) të ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të aktgjykimit”, shkruan REL.

Ajo theksoi se vendimi i saj nuk i prek “në asnjë mënyrë” zyrtarët dhe nëpunësit të cilëve u është ngritur niveli i pagës përmes Ligjit për pagat.

Gjykata ka urdhëruar Kuvendin që në periudhën prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të vendimit të saj, t’i ndryshojë, apo plotësojë nenet e lartcekura në pajtim me Kushtetutën.

Ligji për pagat në sektorin publik u miratua nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor 2022, ndërsa vlera e koeficientit prej 105 eurosh. u miratua në shkurt 2023.

Me ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Presidentit së shtetit i është caktuar koeficienti më i lartë.

Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Janë rreth 83 mijë punonjës të sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!