Borussia Dortmund ia doli të kualifikohej nga faza me grupe në Champions League, pavarësisht se ishin pjesë e një grupi me Paris Saint-Germain, Milan dhe Newcastle. Madje, gjermanët ia dolën edhe ta fitonin grupin duke u kualifikuar si të parët. Megjithatë, ambienti nuk është aspak i qetë në radhët e verdhezinjve duke qenë se rezultatet në Bundesliga mungojnë.
Tre pikë në katër ndeshjet e fundit bëjnë që Dortmund të jetë plot 12 pikë larg kryesuesve të Bayer Leverkusen. Nervat nuk mbajnë më dhe mediat zbulojnë se marrëdhënia e kapitenit Marco Reus me trajnerin Edin Terzic është thyer totalisht.
Krisja erdhi në ndeshjen me Augsburg ku Terzic e zëvendësoi Reus në minutën e 58, ndërsa sulmuesi nuk tentoi as t’i hidhte sytë teknikut në momentin kur mbërriti në stol. Terzic u hakmorr dhe në ndeshjen e fundit ndaj Mainz e la Reus në stol për 90 minuta.
Kështu, kapiteni tashmë ka nisur një fushatë në dhomat e zhveshjes kundër trajnerit Terzic duke kërkuar që t’i kthejë kundër pjesën më të madhe të skuadrës. Vendimi i takon drejtuesve të klubit që po ndjekin nga pranë situatën dhe kanë dy opsione, ose të largojnë trajnerin Terzic ose të dërgojnë në tribunë për pjesën e mbetur të sezonit Marco Reus./ h.ll/abcnews.al