TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në “Ora e fundit” në ABC News tha se Sali Berisha është në panik. Ai theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha e ka kuptuar se i ka ikur ndjenja e paprekshmërisë.
“Berisha tashmë është një njeri në panik dhe tashmë veprimet i bën si të një njeriu, që e ka zënë frika pasi i ka ikur paprekshmëria”, tha ai.
Për deputetin e mazhorancës, Sali Berisha nuk duhej të priste që SPAK të vinte me kërkesë në Kuvend, por duhej të shkonte në gjykatë për masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Sipas tij, në vend që të tregtonte shembullin e një shërbëtori korekt të shtetit në raport me drejtësinë, Sali Berisha tregoi krejt të kundërtën. Deputeti socialist shprehet se Berisha për shkak të hallit të vet, është i gatshëm të shesë edhe interesat e Shqipërisë.
“Ai duhej t’i përgjigjej drejtësisë. Ai duhet të ishte një shërbëtor i bindur i shtetit dhe në fakt po tregon se nuk është dhe nuk do jetë kurrë. Berisha për shkak të hallit të vet është gati të shesë interesa e Shqipërisë dhe të partisë”, theksoi ai.
Mes tjerash, deputeti theksoi se Sali Berisha është braktisur nga njerëzit dhe demokratët.
“Berisha është i braktisur nga qytetarë, por në fund të fundit Berisha ka braktisur vetveten me gjëmat që i ka bërë këtij vendi”, tha ai./ abcnews.al