Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Gjetje të reja pranë varrit të Jezusit/ Arkeologët zbulojnë varre dhe gjurmë kopshti nën Kishën e Varrit të Shenjtë

schedule23:20 - 28 Gusht, 2026

schedule 23:20 - 28 Gusht, 2026

Arkeologë italianë kanë zbuluar gjurmë të një peizazhi të lashtë varrezash nën Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem, një zbulim që, sipas një studimi paraprak, përputhet në disa aspekte me përshkrimet biblike të vendit ku besohet se u varros Jezu Krishti.

Zbulimi u bë gjatë gërmimeve arkeologjike në Kishën e Varrit të Shenjtë, një ndër vendet më të shenjta të krishterimit, e cila besohet nga shumë besimtarë se është ndërtuar mbi vendin ku Jezusi u kryqëzua, u varros dhe më pas u ringjall.

Gërmimet nisën rreth tre vite më parë, gjatë punimeve për restaurimin e dyshemesë së kishës, ndërsa fazat përfundimtare të kërkimeve u zhvilluan gjatë vitit 2025.

Sipas arkeologëve, nën strukturën e kishës u gjetën gjurmë të një guroreje të braktisur, sipërfaqe të kultivuara, varre të gdhendura në shkëmb dhe mbetje të një kopshti të lashtë. Arkeologia kryesore e projektit, Francesca Romana Stasolla nga Universiteti “La Sapienza” në Romë, tha se ekipi ka gjetur prova për ekzistencën e një “peizazhi të tillë varrezash”.

Zbulimi ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak të ngjashmërisë me përshkrimin në Ungjillin sipas Gjonit. Në kapitullin 19 thuhet se në vendin ku u kryqëzua Jezusi “ishte një kopsht dhe në kopsht një varr i ri, në të cilin askush nuk ishte varrosur më parë”.

Arkeologët thonë se disa prej gjetjeve përputhen gjithashtu me përshkrimet e tjera biblike. Varret e zbuluara ishin gdhendur drejtpërdrejt në shkëmb, në një mënyrë që ngjan me përshkrimet e varrit të Jezusit në Ungjijtë sipas Mateut, Markut dhe Lukës.

Një tjetër element i rëndësishëm është zbulimi i gjurmëve të aktivitetit bujqësor. Ne zonë janë identifikuar ullinj dhe hardhi, ndërsa disa prej këtyre mbetjeve datojnë në periudhën e vdekjes së Jezusit, që tradicionalisht vendoset rreth vitit 33 pas Krishtit.

Gërmimet kanë zbuluar gjithashtu gjurmë të ndërhyrjeve të ndryshme historike në këtë hapësirë. Një prej dhomave të varrimit ishte bllokuar nga një strukturë romake e ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Hadrian, në shekullin e dytë.

Rreth dy shekuj më vonë, gjatë periudhës së perandorit Kostandin, struktura romake u shkatërrua dhe zona u gërmua përsëri. Varri u veçua nga dhomat e tjera dhe mbi të u krijua një hapësirë e veçantë e krishterë për pelegrinët.

Megjithatë, arkeologët theksojnë se gjetjet nuk përbëjnë provë përfundimtare se bëhet fjalë për varrin e Jezusit. Ajo që e bën zbulimin të rëndësishëm është përputhja mes karakteristikave të peizazhit të zbuluar dhe përshkrimeve të hershme të vendit të kryqëzimit dhe varrimit.

Zbulimi i ri pritet të ushqejë më tej debatin arkeologjik dhe historik mbi origjinën e Kishës së Varrit të Shenjtë dhe identifikimin e saj tradicional met vendin e kryqëzimit dhe varrimit të Jezus Krishtit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!