Kinemaja ballkanike në Tiranë, mblidhen 50 kineastë

schedule20:35 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 20:35 - 15 Dhjetor, 2023

Tek Piramida në Tiranë ka ngritur siparin edicioni i shtatë i “Balkan Film Market” duke sjellë këtë vit 150 kineastë dhe producentë nga Europa.

“Unë vij nga një gjeneratë e viteve ‘90 ku jeta filmike ose jeta e kinematografike e Tiranës ka qenë pothuajse e vakët, pothuajse zero. Sot që jam para jush jam shumë i lumtur që jo vetëm kemi krijuar Agjencinë e filmit në Tiranë, kemi sjellë në Tiranë rreth 17 produksione të ndryshme filmike europiane, por sot përveç festivalit dhe filmave që çdo ditë po shtohen, e kemi kthyer Tiranën në një kryeqendrën për kinematografinë e rajonit. Sot mes jush janë producentë të njohur jo vetëm nga Europa, të cilët vijnë në Tiranë për të lidhur bashkëpunime me njëri-tjetrin, por dhe me produktet e rajonit”, tha Jonid Jorgji, Drejtor i Agjencisë së Industrisë Kreative.

“Balkan Film Market” sipas regjisorit Ilir Butka është një mundësi që artistët shqiptarë të ballafaqohen me producentët e huaj

“Shqipëria është pjesë e një rajoni, është një rajon i pasur, i ndryshëm, i suksesshëm në aktivitetet që bën me mungesa të theksuara ndoshta financiare, por me pasuri të jashtëzakonshme artistike dhe energji dhe pozitivitet që rrezaton. Këto projekte, këta njerëz, kanë nevojë që të ballafaqohen nëpërmjet këtyre eventeve me producentët më të mirë të botës, ata që shpesh i takojmë në Kanë, në Berlin, në Venecia, të takojmë producentë të cilët duan të krijojnë dhe të bashkëpunojnë me Ballkanin. Këtë gjë duam të bëjmë dhe i kemi ftuar këtu”, theksoi Butka.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi tha se ky institucion ka vendosur një vëmendje të veçantë tek arti dhe kultura.

“Është një nyje lidhëse midis artit, midis qytetit, midis të bukurës, midis rinisë, midis eksperiencave që do mbahet gjatë këtyre ditëve në Tiranë. Është një event shumë I dashur për kryeqytetin tonë gjatë këtyre ditëve, “Balkan Film Market”. Bëhet shumë në këtë qytet për promovimin e artit, për promovimin e kulturës”, tha Seferi.

Përveç mundësive për ekspertët e fushës kryeqyteti shqiptar shndërrohet një pikë takimi për prodhuesit e filmit të cilët mund ta kthejnë dhe në një vende të mundshëm xhirimi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!