Sekretari organizativ i PSD-së theksoi për “Ballkan Update” se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike është e paqartë. Sipas tij, kjo marrëveshje mes KEDS, kompanisë kosovare dhe Elektrosever, kompani serbe, është e njëjta që është nënshkruar në kohën e Isa Mustafës.
Nushi shtoi se në territorin e Kosovës do të ketë dy çmime për faturat e energjisë, gjë që sipas tij, do të cenonte sovranitetin dhe bashkëjetesën në vend.
“Sikurse për çdo gjë, qeveria është e mbyllur hermetikisht. Nga ajo që dimë paraprakisht, në këtë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, në Kosovë do të ketë dy kompani të shpërndarjes së energjisë. Për pjesën e Kosovës ka me qenë KEDS dhe për Zajednicën Elektrosever, kompani publike serbe. Këtu kemi disa probleme. E para është hipokrizia e kësaj qeverie karshi kësaj marrëveshje sepse është e njëjta e nënshkruar në kohën e Mustafës. Përveçse në fusha të tjera si ekonomia, arsimi, në dialog përgjatë tre viteve le që s’e kanë bërë më mirë por edhe më keq. Maksimumi i tyre në dialog është implementimi i disa marrëveshjeve të vjetra dhe po na bien dokumente më të këqija si drafti i asociacionit. Kjo vërehet edhe në marrëveshjen e energjisë, e terrotializuar për katër komunat e veriut, e cila do të shërbejë me të njëjtat shërbime si KEDS por do të ketë në dorë edhe çmimin e energjisë dhe paradoksalisht do të kemi dy lloje çmimesh të energjisë për banorët e Kosovës dhe të Zajednicës.
Është një marrëveshje mes dy kompanive private ndonëse Elektrosever është kompani shtetërore serbe, por brenda Kosovës do të funksionojë si private. Po del që ia ka nënkontraktuar shërbimet e saj KEDS, një kompani si Elektrosever për një pjesë të territorit të Kosovës. Të gjitha të hyrat për rrymat e shpenzuara do t’i mbledhë Elektrosever. Në këtë rast Kosova përfiton nga mos pagesa e rrymës me para publike në atë pjesë të territorit por kjo nuk ka vend për gëzim. Këtu cenohet sovraniteti dhe bashkëjetesa brenda Kosovës sepse do të kemi dy realitete, një ku rryma është pa pare sepse paguan Serbia dhe një realitet tjetër ky rryma kushton shtrenjtë.”, theksoi ai./abcnews.al