“Unaza verilindore, në 2024”/ Balluku: Po punohet në segmentin nga sheshi “Shqiponja” deri tek “Bulevardi i Ri”

schedule14:37 - 12 Dhjetor, 2023

schedule 14:37 - 12 Dhjetor, 2023

Nis asfaltimi në pjesën verilindore të Unazës së Madhe të Tiranës. Zv.kryeministrja njëherësh ministre e infrastrukturës dhe energjisë  Belinda Balluku, inspektoi punimet, ndërsa theksoi se loti 2 i Unazës përfundon vitin e ardhshëm.

Ky segment shtrihet nga Sheshi Shqiponja deri tek Bulevardi i ri. Zv.kryeministrja po ashtu shtoi se të gjitha projektet po ecin me ritme të shpejta duke respektuar afatet ndërsa kërkoi të njëjtin angazhim edhe për vitin e ardhshëm.

Loti 2 është mbi 2 kilometra dhe konsiderohet segmenti më i gjatë i Unazës së Madhe të Tiranës. Aktualisht në këtë pjesë po punohet me pjesën e gjelbërimit, ndriçimit si dhe akseset për kalimtarët.

“Kushtet e kontratës kanë qenë që përfundimi është prill ’24. Megjithatë ne po ecim shumë shpejt, ndërkohë që të gjitha lotet e tjera janë brenda afateve kontraktuale. Të gjitha këto projekte, pavarësisht se kjo është një rrugë e kategorisë A me një gjerësi 28 metra nga ana tjetër kjo rrugë nuk është trajtuar si një autostradë, por është trajtuar si një rrugë urbane ku gjelbërimi, ndriçimi, akseset për kalimtarët. Do të kemi dhe një mbikalim. Të gjitha këto janë elementë urbanë për të facilituar të gjitha zonat e banuara, sepse me të vërtetë këto janë rrugë shpejtësie të lartë që do të krijojnë akesin dhe lidhjen me autostradat që vijnë nga të gjitha drejtimet për tu futur në kryeqytet, por nga ana tjetër janë rrugë që janë brenda zonave të banuara dhe s’ka sesi të jenë të bllokuara, pa aksese për kalimtarët, pa gjelbërim, pa ndriçim. Kështu që këto janë projekte që në gjenezë të tyre në bashkëpunim edhe me bashkitë si të Tiranës ashtu edhe të Kamzës, ne kemi adresuar të gjitha kërkesat tuaja për të qenë rrugë me elementë facilitues për të gjithë banorët e zonave. Rehabilitimi i pjesës së lumit është shumë i rëndësishëm. Tashmë lumi ka dalë në pah, dikur ishte i mbuluar nga plehrat, nga bimësia. Me ndërtimin e Unazës së Madhe detyrimisht ky lum ka dalë në pah dhe ky lum mund të kthehet në një atraksion, pra me një shëtitore që do ta ndjekë, me një rrugë biçikletash. Unë shpresoj që dhe 2024 të ketë të njëjtin ritëm përsa i përket kantiereve në të gjithë Republikën e Shqipërisë pasi 2024 do jetë një vit shumë i rëndësishëm, kemi për të dorëzuar tunelin e Llogarasë, kemi për të dorëzuar të gjithë pjesën e Unazës Verilindore të Tiranës duke plotësuar kështu Unazën e Madhe të Tiranës, do përfundojë tuneli i Murrizit dhe shumë punë të tjera të mira që i kemi nisur dhe do nisim punë akoma më të mira si porti i ri i Durrësit i vendosur në Porto Romano apo dhe aeroporti i jugut, se tashmë Vlora, ju e keni parë, kemi qenë me kryeministrin para pak ditësh atje, Vlora ka marrë rrugën e duhur, tashmë kantieri ka dalë në sipërfaqe, duket pista, terminali dhe gjithçka tjetër”, ka thënë ndër të tjera Balluku.

/abcnews.al/