Krerët e shteteve anëtare e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evopian po grumbullohen në Bruksel për takimin dy ditor që do të zhvillojnë. Zgjerimi është një prej temave kryesore, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin një “po” për të nisur bisedimet për anëtarësim. Gjermania po këmbëngul se dy vendet duhet të hapin negociatat, ndërsa Franca kundërshton zgjerimin e mëtejshëm.
Samiti i 28 liderëve europianë fillon zyrtarisht në Bruksel në orën 15.00. Liderët europianë do diskutojnë së pari për Brexit, daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimit Europian . Dalja e një pjesëtari të familjes europiane zë vendin kryesor të shqetësimeve të Bashkimit Europian, që prej referendumit të 23 qershorit 2016.
Bëhet fjalë për qindra takime, deklarata dhe një marrëveshje që nuk janë kurorëzuar me sukses deri tani, pasi marrëveshja e Bashkimit Europian për daljen e Britanisë së Madhe nuk pranohet nga Britania e Madhe.
27 liderët europianë do të diskutojnë alternativën e prezantuar nga kryeministri Boris Johnson për daljen e vendit nga Bashkimi Europian në 31 Tetor dhe nëse nuk ka marrëveshje, pritet të kalohet në opsionin e shtyrjes së daljes së Britanisë së Madhe.
Çështja e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe atë të Turqisë do të diskutohet gjatë darkës së punës së 28 kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian.
Burimet e Këshillit Europian kanë informuar ABC News se Franca jo vetëm nuk ndryshon qëndrimin e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ajo ka mbështetjen e plotë të Holandës, dhe vendeve të tjera si Danimarka, Belgjika, që konsiderojnë se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave, Greqia që ngre çështjen e minoriteve, ndërkohë që një grup tjetër dërrmues i vendeve mbështesin Francën lidhur me nevojën e ndryshimit tê metodologjisë sê zgjerimit.
Pra, thënë ndryshe, Franca nuk është e vetme në qëndrimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. 28 liderët europianë do të diskutojnë gjithashtu edhe mbi inkursionin e Turqisë në Siri dhe për një qëndrim të bashkuar të embargos së armëve ndaj Turqisë, por edhe me kërcënimet e Turqisë, së nëse Bashkimi Europian e konsideron ndërhyrjen e saj nê Siri si të paligjshme, atëherë Turqia do dërgojë të gjithë emigrantët që qëndrojnë aktualisht në kampet e Turqisë në Europë./ABC News Albania