VIDEO/ “Luftë” pa fitues në “Air Albania”, Tirana e Partizani ndajnë pikët në “Derbin e Kryeqytetit”

schedule21:13 - 3 Dhjetor, 2023

schedule 21:13 - 3 Dhjetor, 2023

Pritej një përballje plot grintë, spektakël dhe e luftuar, dhe ashtu rezultoi të ishte. Kjo ishte pasqyra e derbit të 172-të të kryeqytetit, mes “Bardhebluve” të Tiranës dhe “Demave të Kuq” të Partizanit, përballje e cila u mbyll në rezultatin 1 me 1 dhe që ishte e vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore.

Përgjegjës për golat ishin Florent Hasani e Albers Keko, me Hasanin që tundi rrjetën e “Demave” në minutën e 28’-të të sfidës, ndërsa Keko barazoi gjithçka në minutën e 80’-të për të ndarë pikët me rivalët e qytetit, në një përballje të tensionuar. Mirëpo, tensioni në këtë derbi e dhuruan momentet e nxehta e plot grintë përgjatë 90 minutave, ku si zakonisht nuk mund të mungonte as dhuna, fillimisht e tifozëzëve e më pas mes lojtarëve.

Episodi i parë i dhunës u shënua në pjesën e parë, ku tifo-grupet e të dyja skuadra hodhën sende të forta drejt lojtarëve, Filip Najdovski të Tiranës e Pano Qirko të Partizanit, me kapitenin “Bardheblu”, që mori një goditje në shpatull, ndërsa “gardiani” i “Të Kuqve” u godit me copa stolash në këmbë, megjithatë gjithçka u mbyll me aq dhe nga tifozët nuk pati më shqetësime.

Përsa i përket lojtarëve përplasje goxha e fortë ishte ajo e minutës së 70’-të të sfidës, mes anësori së mbrojtjes së Tiranës, Albi Doka me mesfushorin e “Demave të Kuq”, Arinaldo Rrapaj, ku shkak u bë një ndërhyrje e gabuar e Rrapajt, teksa për të ndalur “vrullin” e përplasjes është dashur edhe ndërhyrje e dy stafeve teknike të skuadrës, të cilët sheshuan menjëherë situatën, për të rifulluar lojën rregullisht, veçse kësaj radhe me të dy lojtarët të ndëshkuar me karotonin e verdhë nga arbitri Xhaja.

Ndërkaq, ky rezultat nuk ndikon asgjë një renditjen e Superirores, me “Bardheblutë” që mbeten në vendin e 3-të të renditjes, kësaj radhe me 22 pikë, ndërsa “Demat e Kuq” të Partizanit ngjiten në kuotën e 29 pikëve, duke mbajtur sërish vendin e 2-të të renditjes, 4 pikë më pak se Egnatia e vendit të parë. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLIN:

Goli i Florent Hasanit, 1-0:

Goli i Albers Kekos, 1-1: