Nënpresidentja amerikane parashtron vizionin e Uashingtonit pas luftës në Gaza

schedule07:45 - 3 Dhjetor, 2023

schedule 07:45 - 3 Dhjetor, 2023

Nënpresidentja Kamala Harris parashtroi të shtunën objektivat amerikane pas përfundimit të konfliktit Izrael-Hamas. Ajo theksoi se populli palestinez në Gazë dhe Bregun Perëndimor, duhet të ribashkohet nën një entitet qeverisës.

Zonja Harris bëri një sërë paraqitjesh në takimin e nivelit të lartë mbi klimën (COP28) që mbahet në Dubai.

Në bisedimet me Presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi, zonja Harris tha se “në asnjë rrethanë Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga rripi i Gazës ose Bregu Perëndimor, rrethimin e Gazës ose ndryshimin e kufijve të rajonit”, thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Po sipas deklaratës me përfundimin e luftës, përpjekjet për të rindërtuar duhet të shihen “në kontekstin e një horizonti të qartë politik për popullin palestinez drejt një shteti të udhëhequr nga një Autoritet Palestinez i përtërirë që të ketë mbështetje të konsiderueshme nga komuniteti ndërkombëtar dhe vendet e rajonit”.

“Nënpresidentja e bëri të qartë se Hamasi nuk mund ta kontrollojë Gazën, gjë që do të rrezikonte sigurinë e Izraelit, mirëqenien e popullit palestinez dhe sigurinë rajonale”, thuhej më tej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Autoriteti Palestinez i mbështetur nga Perëndimi qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar. Hamasi mori kontrollin e Gazës në vitin 2007 duke larguar nga pushteti partinë kryesore të Presidentit palestinez Mahmud Abbas, Fatahun. Që prej asaj kohë rajoni sundohet nga grupi militant.

Roli i zonjës Harris në administratë është vënë nën shqyrtim të shtuar ndërsa Presidenti Biden, kandidon për një mandat të dytë. Ajo është ngarkuar me detyrën për të ndihmuan në zgjidhjen e një sërë sfidash të mëdha, nga imigrimi tek aborti apo e drejta e votës. Mënyra se si duhet të menaxhohet Rripi i Gazës pas konfliktit është një çështje që ka krijuar polemika mes udhëheqësve rajonalë dhe ekspertëve në Lindjen e Mesme.

E ardhmja e Autoritetit Palestinez

Zyrtarët amerikanë kanë diskutuar mbi mundësinë e forcimit të Autoritetit Palestinez në mënyrë që ai të zgjerojë shtrirjen e tij duke përfshirë edhe Gazën, por deri tani nuk është rënë dakord për asnjë plan.

Disa zyrtarë amerikanë kanë shprehur jo publikisht dyshime lidhur me aftësinë e këtij autoriteti për të qeverisur Gazën pas luftës.

Kritikët e kanë akuzuar atë për korrupsion dhe keqmenaxhim, si dhe sondazhet kanë treguar besueshmëri të popullit palestinez ndaj tij.

Zonja Harris u takua edhe me Sheikun Mohamed bin Zayed Al Nahyan, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe zhvilloi një bisedë telefonike me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat për lirimin e pengjeve në Gazë.

Në komentet që pritet të mbajë më vonë gjatë ditës së shtunë, zonja Harris do të shprehë dëshirën e Shteteve të Bashkuara për rivendosjen e një pauze në luftimet Izrael-Hamas, me synimin për të nxjerrë më shumë pengje nga Gaza dhe për të siguruar një rrjedhë të qëndrueshme të ndihmës humanitare./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!