Katër vëllezër adoleshentë dhe një vajzë dënohen për vrasjen e një taksisti

schedule22:48 - 30 Nëntor, 2023

schedule 22:48 - 30 Nëntor, 2023

Katër vëllezër adoleshentë dhe një vajzë 15-vjeçare u dënuan në një gjykatë suedeze për vrasjen e një burri të cilin kjo e fundit e akuzoi për përdhunim, shkruan BBC.

Viktima është një shofer taksie, i cili u gjet i varur në një rezervat natyror në Suedinë qendrore në mars.

Gjykata në Uppsala zbuloi se taksisti e joshi vajzën me premtimin për marrëdhënie seksuale. Si pasojë, adoleshentët e vranë dhe trupi i tij u gjet vetëm një javë më vonë. Vëllai i madh, i cili në atë kohë ishte 18 vjeç, mori një dënim të përjetshëm. Tre vëllezërit e tjerë janë të mitur, ndaj do ta kalojnë dënimin katërvjeçar në një institucion për të miturit. Vëllezërit u shpallën fajtorë për vrasje, ndërsa vajza për ndihmë dhe nxitje në vrasje. Vajza ishte në një lidhje me njërin nga vëllezërit.

Taksisti është gjetur i varur në një pemë. Gjykata arriti në përfundimin se vrasësit u përpoqën ta paraqesin vdekjen e tij si një vetëvrasje. Edhe pse të pesë adoleshentët mohuan përfshirjen, gjykata i dënoi ata bazuar në provat rrethanore të paraqitura nga prokurorët.

Provat, mes të cilëve edhe mesazhet SMS mes adoleshentëve, u prezantuan nga prokuroria si provë e një komploti për vrasje. Më 20 mars, katër ditë para se viktima të zhdukej, vajza i shkroi një shoku se katër vëllezërit do të takonin përdhunuesin e saj.

Pas vrasjes, njëri prej vëllezërve përdori celularin e viktimës për të transferuar para nga llogaria e tij bankare. Vajza mohoi të dinte se vëllezërit synonin ta vrisnin burrin, duke thënë se ajo vetëm mendonte se do ta rrihnin atë./abcnews.al