Shkak reshjet e dendura të dëborës, FSHF zhvendos sfidën Kukësi-Skënderbeu

schedule13:36 - 27 Nëntor, 2023

schedule 13:36 - 27 Nëntor, 2023

Reshjet e dendura të dëborës, që “zaptuan” territorin e vendit tonë gjatë fundjavës, duket se kanë ndikuar edhe te futbolli, me sfidën Kukësi-Skënderbeu, që do të zhvendoset nga “Kukës Arena”, për në “Arenën e Demave”, në kryeqytet.

Ka qenë vetë Departamenti i Garave, të Federataës Shqiptare të Futbollit, që ka njoftuar këtë ndryshim të vendndodhjes së ndeshjes, ndërsa ora dhe dita nuk do të ndryshojnë, me sfidën e parashikuar të zhvillohet në mesditën e së martës, në orën 13:30.

Njoftimi i FSHF-së:

Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se do të ketë një ndryshim në kalendarin e ndeshjeve të javës së 14-të në kampionatin “Abissnet Superiore”.

Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe reshjeve të dëborës në qytetin e Kukësit, ndeshja e javës së 14-të Kukësi – Skënderbeu e programuar për t’u zhvilluar të martën më datë 28 nëntor në orën 13:30 në stadiumin “Kukës Arena” do të spostohet për t’u luajtur në të njëjtën ditë dhe orë në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet.

Ky vendim është marrë në konsensus të plotë me dy klubet e “Abissnet Superiore”, që ndeshja të luhet në kushte sa më të mira dhe optimale. /i.m /abcnews.al