Përveç krizës së rezultateve, tashmë “gjigantët” italianë të futbollit, duhet të përballen edhe me krizën e dëmtimeve. Bëhet fjalë për “kuqezinjtë” e Milan, të cilët prej 4 javësh tashmë nuk po njohin fitore në Serie A dhe kjo “vuajtje” mund të vazhdojë akoma, kjo për shkak të dy mungesave të mëdha, që “Djajtë” e Milanos do të kenë në sfidën e ardhshme ndaj “violëve” të Fiorentina.
Tekniku Stefano Pioli, nuk do të ketë në gatishmëri për sfidën e progaramuar të zhvillohet mbrëmjen e 25 nëntorit në “San Siro”, dyshen e sulmit, Rafael Leao e Olivier Giroud, të dy protagonistët absolut të kësaj skuadre. “Luzitani” i krahut të majtë u dëmtuar në sfidën e “Via del Mare”, ndaj Lecce-s së Ylber Ramadanit, ndërsa “veterani” francez i sulmit u ndëshkua po në atë ndeshje me kartonin e kuq, duke lënë “thatë” për përballjen e radhës, “strategun” italian.
Mirëpo, gjatë ndeshjeve të Kombëtare, Pioli ka humbur edhe shërbimet e sulmuesit “helvet”, Noah Okafor, me 23-vjeçarin që ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshë gjatë ndeshjes Rumani-Zvicër dhe do t’u mungojë “kuqezinjve” për një periudhë rreth 3 javë.
Në të tilla rrethana, Pioli pritet ta nisë sfidën me “tridentin” e sulmit, Chukwueze-Jovic-Pulisic, mirëpo, trajneri po mendon të grumbullojë për këtë duel edhe dy sulmuesit e rinj, 15-vjeçarin Francesco Camarda, për të cilin nevojitet një leje e veçantë nga Serie A, si dhe 17-vjeçarin, Diego Sia. /i.m /abcnews.al