Franck Ribery ngulmon te puna e fortë dhe ambicia për fitore. Ndërsa zbuloi prapaskenat e transferimit në Serie A për Corriere della Sera, ylli i Fiorentinës ndalet te roli i tij jashtë fushave të blerta.
Të rinjtë e sotëm janë të ndryshëm, kështu ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në fakt. Francezi zbulon këshillat që i jepnin emra si Zidane dhe Henry. Dikur nuk i kuptonte shumë mirë, ndërsa sot u jep të drejtë atyre.
Sot e bën ai këtë rol. Te Bayerni krijoi një lidhje të veçantë me David Alabën, ndërsa te Fiorentina bisedon pafund me Federico Chiesën dhe Gaetano Castrovillin.
KËSHILLAT – “Kam luajtur me Zidane, Henry dhe Thuram, të cilët ma përsërisnin gjithmonë: ‘Futbolli ecën shumë shpejt. Përpiqu ta shijosh’. Kishin të drejtë dhe tani i kuptoj plotësisht. Gjeneratat e reja kanë ndryshuar. Ne tentonim të zbaviteshim dhe të mësonim, nuk e kishim mendjen vetëm te paratë.”
TË RINJTË – “Tani edhe jeta ka ndryshuar, të rinjtë kanë probleme dhe prioritete të tjera: makinat, sponsorët. Rrezikojnë të shkatërrojnë karrierat dhe veten e tyre për shumë gjëra aspak thelbësore. Mua më pëlqen t’i ndihmoj. Ndihem mirë kur më dëgjojnë. Më shohin se si stërvitem, si punoj dhe si ushqehem. Dua t’iu transmetoj mentalitetin e fortë. Unë nuk dua të humb kurrë, më zemëron diçka e tillë. Duhet të mendojmë gjithmonë fitoren. Nuk është e thjeshtë, madje është e pamundur, por duhet tentuar gjithmonë.”
ALABA – “Te Bayerni u njoha me Alabën kur ishte 16 vjeç. E merrja me vete në shtëpi për drekë dhe e inkurajoja pafund. Një ditë po shihte Ferrarin dhe orën time me vëmendje. I thashë që nuk duhej t’i shihte dhe se duhet të mendonte vetëm për t’u përmirësuar në fushën e blertë. Më pas do t’i shijonte frytet e punës së tij. Alaba ia doli dhe sot më falënderon. Te Fiorentina bisedoj shumë me Chiesën dhe Castrovillin. Janë djem të zgjuar dhe me këmbë në tokë. Duam të rritemi të gjithë së bashku.” /abcnews.al