Ukrainë-Portugali është një nga duelet më të forta të mbrëmjes së sotme. Ekipi i drejtuar nga Andriy Shevchenko renditet në vend të parë me 16 pikë në Grupin B, ndërsa kampionët në fuqi të Evropës ndjekin me 5 pikë më pak.
Ish-sulmuesi i famshëm i Milanit është i qartë se rreziku kryesor quhet Cristiano Ronaldo. Ylli i Juventusit është një gol larg shifrës 700 në karrierë dhe sonte do të bëjë maksimumin për t’ia arritur.
Sheva është gati të ndryshojë skemën për të frenuar 5 herë fituesin e “Topit të Artë”. Diçka të tillë e shpreh në prononcimin për Record, aty ku i bën thirrje ekipit të tij që të jetë vigjilent.
“Luajmë kundër skuadrës që ka fituar Evropianin e fundit dhe Nations League. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për të treguar nivelin tonë. Duam të luajmë bukur dhe të fitojmë.
Do jetë kënaqësi për djemtë e mi të përballen me Portugalinë dhe CR7. Nuk të ndodh çdo ditë të luash kundër lojtarëve të tillë. Nuk duhet t’i lëmë asnjë hapësirë. Ronaldo nuk mund të ketë hapësira. Ukraina ime nuk bën kurrë markime individuale, por mund të ndodhë kundër Portugalisë”, thekson Andriy Shevchenko. /abcnews.al