Këtë të mërkurë, qeveria kaloi marrëveshjen e arritur mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.
Protokolli i dakordësuar nga Rama dhe Meloni e kaloi këtë hallk të procedurës, dhe stacioni i radhës është Kuvendi i Shqipërisë.
Marrëveshja do t’i nënshtrohet fillimisht debatit në komisionet parlamentare dhe më pas do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Për kalimin e saj duhet një shumicë e thjesht votash, pra mjaftojnë vetëm kartonët jeshilë të socialistëve e nuk nevojitet një konsensus politik.
Mazhoranca tregoi kështu vullnetin për të mos humbur kohë për këtë akt, të cilin, sic tha kryeministrja Meloni, parashikimi është të vihet në jetë në pranverë.
Marrëveshja parashikon që emigrantët që nisen për në Itali, të hyjnë në Shqipëri përmes portit të Shëngjinit dhe të trajtohen në një kamp në Gjadër të Lezhës.
Kostot financiare do ti përballojë Italia, dhe emigrantët do të rrinë aty vetëm sa të përfundojë shqyrtimi i kërkesave të tyre për azil.
Në rast refuzimi, sipas marrëveshjes, Italia i largon ata nga Shqipëria.
Marrëveshja ka shkaktuar debate në të dy vendet, ku vihet në pikëpyetje respektimi i të drejtave të njeriut për sa kohë këta refugjatë janë nisur për në një vend të BE-së dhe do të devijohen në një vend tjetër që nuk është pjesë e unionit.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU./abcnews.al