Kthupi: Berisha tani është i detyruar të shkojë vetë në gjykatë, nëse refuzon mund të merret masë më e rëndë

schedule20:21 - 13 Nëntor, 2023

schedule 20:21 - 13 Nëntor, 2023

Sekretari për Çështjet Elektorale dhe mbrojtësi ligjor në Partinë Demokratike, Rezart Kthupi, theksoi se ish kryeministri Sali Berisha ka treguar nëpërmjet deklaratave publike se ka pasur dijeni mbi vendimin e gjykatës për çështjen ndaj tij. I ftuar në “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, Kthupi u shpreh se:

“Askush nuk mund të thotë sot se Berisha nuk kishte dijeni për vendimin sepse me veprime konkludente, me akte publike, ka provuar se ka dijeni për vendimin dhe nuk kishte më mundësi për të thënë se nuk kam dijeni për vendimin. Marrja dijeni e avokatëve sot fizikisht krijoj hapësirën ligjore për ankimimin e vendimit. Nëse avokatët sot nuk do të kishin marrë dijeni sot fizikisht për vendimin, mund të ishin kushtet ku gjykata të konsideronte të ezauuruar afatin e ankimimit dhe të ngelej në kushtet e një vendimi të detyrueshëm që në gjykatë të shkallës së parë.”

Ai shtoi se tashmë Berisha është i detyruar që të shkojë në gjykatë vetë dhe nëse refuzon, mund të merret një masë më e rëndë ndaj tij.

“Tani është i detyruar të shkojë vetë. Vendimi nuk është i zbatueshëm nga avokatët. Përfaqësimi gjyqësor është një gjë. Zbatimi i vendimit të gjykatës nuk bëhet me bedel. Vendimi i gjykatës zbatohet nga personi ndaj të cilit është lëshuar vendimi i gjykatës. Kjo do të thotë se zoti Berisha si kurrë më parë në jetën e fundit, më në fund, do të paraqitet një ditë para një institucioni të drejtësisë. Nëse refuzon, do të thotë se ka shkelur një vendim të gjykatës dhe gjykata ose prokuroria mund të adresojë gjykatën me një kërkesë për marrje sigurimi më të rëndë, si ajo e arrestit në shtëpi.”, tha ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!