Kur Kristian Eriksen u rrëzua në tokë dy vjet e ca më parë, u mendua më e keqja.
Yllit të Danimarkës i ndodhi goditja në zemër në një skenë e madhe si ndeshja e fazës finale në Euro 2020, në Kopenhagen ndaj Finlandës.
Për fat, mesfushori ofensiv shpëtoi dhe madje u rikthye triumfalisht në fushë, këtë herë në Angli për Brentfordin, por shumë të tjerë nuk e kanë pasur këtë fat.
Vdekjet për shkak të atakut kardiak janë bërë kaq shumë të shpeshta në futbollin profesionist, siç i ndodhi edhe yllit të ndjerë të Egnatias së Rrogozhinës, Rafael Duamena. Sulmuesi nga Gana u rrëzua në fushë dhe vdiq në spital.
Askush nuk mund t’i harrojë vdekjes në nivelet më të lartë europiane dhe botërore.
Fabris Muamba u shua në sfidën Bolton-Totenhem në Angli në 2012, futbollisti brazilian Serezo I Sao Kaetanos vdiq në 2004, në një ndeshje të elitës së Brazilit kundër Sao Paulos.
Në Spanjë ende përkujtohet ikja e lojtarit të Seviljes, Antonio Puerto, që gjithashtu u godit në fushë nga ataku kardiak në 2007 në ndeshjen ndaj Getafes në La Liga.
Sipas një studimi të FIFA-s në 2020, në bashkëpunim me Universitetin e Sarlandit, vetëm në një periudhë 5-vjeçare në të gjitha nivelet e futbollit në nivel botëror, pati 617 vdekje, dhe shumica për shkak të atakut në zemër.
Tragjeditë në sportin më popullor në rruzull janë shënuar që nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të dhe vazhdojnë të rriten.
Kjo, pavarësisht forcimit të rregullave dhe rritjes së nivelit të mjekësisë sportive, krah për krah me rritjen e xhiros së miliardave në futboll.
Shkaqet mund të jenë nga më të ndryshmit, që nga neglizhencat e ndryshme, lloje të veçanta të sëmundjeve, rritja e ngarkesës tek lojtarët për shkak të kalendarit dhe ritmit të ndeshjeve, apo edhe përdorimi fshehurazi i substancave të ndryshme nga vetë futbollistët./abcnews.al