Izraeli i kërkon vendeve Perëndimore të dërgojnë “spitale lundruese” për palestinezët që largohen nga Gaza

schedule14:37 - 2 Nëntor, 2023

schedule 14:37 - 2 Nëntor, 2023

Izraeli u ka kërkuar vendeve që të dërgojnë anije spitalore për të trajtuar palestinezët e plagosur, të cilët do të lejohen të largohen nga Rripi i Gazës përmes territorit egjiptian, tha ambasadori i Izraelit në Berlin.

Në një intervistë për rrjetin publik të radios izraelite (Kan), Ron Prossor tha se një kërkesë e tillë i është bërë Gjermanisë dhe vendeve të tjera, duke konfirmuar skenarin e paraqitur nga radiostacioni sipas të cilit të plagosurit nga Gaza do të hipnin në anijet spitalore në portin Al-Arish në Egjipt pranë enklavës palestineze.

“Nuk e di ende nëse do të ndodhë. Ne e kërkuam atë. Mendoj se po diskutohet. Këtu në Evropë ka një tendencë për të ofruar ndihmë për arsye humanitare në çfarëdo mënyre”, tha ish-sekretari i përgjithshëm i ministrisë së jashtme të Izraelit.

Franca njoftoi javën e kaluar se po dërgonte anijen Tonnere në Mesdheun lindor me një mision për të mbështetur spitalet e Gazës. Tonnere ka 70 shtretër dhe dy salla operative.

Izraeli i ka kërkuar edhe Italisë një anije spitalore, por nuk ka marrë përgjigje.

Në Ankara, Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca tha se Turqia është gati të pranojë pacientë me kancer nga Spitali i Miqësisë Turko-Palestineze në Gaza, i cili ka pushuar së funksionuari për shkak të mungesës së karburantit dhe granatimeve në enklavën palestineze.

Në një njoftim në Twitter, Koca thekson se nëse do të ketë koordinimin e nevojshëm, Turqia është e gatshme të transferojë pacientët me kancer dhe pacientë të tjerë që kanë nevojë për kujdes urgjent në Turqi për të vazhduar trajtimin e tyre.

“Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare dhe organizatat përkatëse nuk kanë ndërmarrë iniciativa të mjaftueshme për të parandaluar sulmet ndaj spitaleve”, tha ai në postimin e tij.

Turqia deri më tani ka dërguar 200 tonë ndihma humanitare dhe një ekip mjekësor në Egjipt për palestinezët në Gaza dhe po propozon ngritjen e një spitali fushor në tokën egjiptiane pranë kalimit Rafah.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!