Koreja e Veriut kritikoi ashpër SHBA-në për dërgimin e ATACMS (Sistemet Raketore Taktike të Ushtrisë) në Ukrainë, duke nënvizuar se një sulm i mundshëm me raketa të tilla në territorin e Rusisë do të dëmtonte përpjekjet për paqe.
Ukraina njoftoi të martën se përdori raketat amerikane ATACMS për herë të parë për të goditur dy fusha ajrore në zonat e mbajtura nga trupat ruse. Kievi ka kërkuar prej muajsh këto raketa balistike me rreze të gjatë, duke siguruar se nuk do t’i përdorë ato për të goditur objektivat në tokën ruse. Ai beson se këto raketa mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës që filloi 20 muaj më parë, kur ushtria ruse pushtoi territorin ukrainas.
“SHBA më në fund ka dorëzuar një sistem raketor ATACMS në Ukrainë, pavarësisht shqetësimit të thellë dhe kundërshtimit të fortë nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Shin Hong Chol, ambasadori i Koresë së Veriut në Rusi. “Çdo goditje në territorin e Rusisë me një fuqi bërthamore, nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e shpejtë të krizës ukrainase apo zgjidhjen paqësore të saj, siç pretendojnë SHBA-të. Përkundrazi, do të zgjasë konfliktin dhe e gjithë Evropa do të rrezikojë të zhytet në vorbullën e një lufte të paepur”, shtoi ai.
Më 13 tetor, Shtëpia e Bardhë kishte akuzuar Korenë e Veriut se kohët e fundit i ka dorëzuar Rusisë pajisje ushtarake, duke shprehur shqetësimin për bashkëpunimin e zgjeruar të Phenianit me Moskën.