“Nuk kam shkuar në PS”, Dade: Rama nuk ka mundur që të dalë mbi veten e vet

schedule21:25 - 9 Tetor, 2019

schedule 21:25 - 9 Tetor, 2019

Ish-ministrja dhe ish-deputetja Arta Dade konstaton se me gjithë krizën e thellë të vendit kryeministri Rama nuk ka mundur që të dalë mbi veten. Gjatë një interviste në ABC News këtë të mërkurë, Dade tha se do të ishte në interesin e Partisë Socialiste që të zhbllokohe kjo krizë që ka përfshirë vendin.

Sipas Dades integrimi i vendit lidhet edhe me faktin se sa liderët politikë janë të gatshëm që në situata të shtira të zgjasin dorën e bashkëpunimit që të qetësojnë situatën në vend.

“Me situatën, me krizën e thellë që ka përshkruar vendin sepse procesi i integrimit lidhet ngushtësisht edhe me vizionin dhe mënyrën se si zgjidh disa situata konfliktuale brenda vendit tënd. Sa je në gjendje të bësh një relaksim të jetës politike, sa je në gjendje të shtrish dorën e bashkëpunimit. Absolutisht ka treguar që nuk ka mundur që të dalë mbi veten e vet, të dalë mbi një grup njerëzish që kërkojnë të jetë “i fortë” sepse mua më duket i fortë ai që di t’i zgjidhë gjërat me argumente, që di të zhbllokojë situata. Do të ishte në interesin e PS-së që të zhbllokohej situata. Një nga defektet që kemi patur dhe na është vënë në dukje nga rekomandimet e OSBE/ODIHR është konfliktualiteti i jetës politike dhe mënyra se si ne në vend që t’i zhbllokojmë situata i acarojmë më keq”, tha Dade.

Ndër të tjera, ish-ministrja u shpreh se nuk ka shkuar më në Partinë Socialiste. Ajo solli në kujtesë një mbledhje të zhvilluar disa vite më parë, ku ishte sëbashku me personalitete të larta të PS-së dhe pas kundërshtive dhe kritikave që thanë nuk u ftuan më.

“Unë nuk kam shkuar sepse praktikisht e para që nuk jam ftuar. Po shikoja një film për të ndjerin Hajdaraga dhe pati disa pjesë të mbledhjeve. Aty kam qenë edhe unë dhe mendova që ajo mbledhje nuk është bërë më që nga 2014-a në Janar sepse u mblodhëm dhe thamë disa rezerva që kishim për qeverisjen 6-mujore dhe që nga ai moment, që edhe Hajdaraga dhe të tjerë thamë disa kundërshti dhe thamë sugjerime ne nuk jemi mbledhur më. Në Asamble nuk jam sepse ishim meqë ishim deputetë të Ps. Në kryesi ju e dini që refuzova të shkoj sepse refuzova të isha pjesë e fasadës. Më vjen keq  që PS nuk arriti të ngrihej në kërkesat dhe besimin që i dha elektorati”, tha Dade.

Për sa i përket zërave kundër në parti, ajo tha se Ditmir Bushati është i vetmi për momentin.

“Për shembull ka patur zëra kundër në parti dhe ato janë unifikuar. Ditmir Bushati është i vetmi zë. Besoj që është një qëndrim parimor dhe jam kundër zërave që thonë se Ditmiri iku nga ministri. Kjo bën sens se nëse një ministër nuk ia thotë publikisht kryeministrit në një bisede thotë kokë më kokë atëherë çfarë duhet të bëjë. Duhet të jetë i pasinqertë me opinionin publik dhe ato që ka të mos i thotë? Besoj që duhet të shtohen zërat si Ditmiri, por edhe jashtë partisë. Ajo që ndodhi në Shkodër mua m’u duk pozitive se pashë një mbledhje me njerëz që folën hapur. Dëgjova që ka pasur debate edhe në partinë e Durrësit. Uroj që përmes debatit, por jo përmes dhunës të zgjidhen ata që janë më të mirët”, tha Dade.

Ish-ministrja e konsideron hap pozitiv që opozita mori pjesë në reformën zgjedhore. Madje ajo është dakord për idenë e opozitës që të ndërrohet sistemi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!