Eksperti për çështjet e sigurisë, Ilir Kulla në emisionin “Zonë e Lirë”, ka folur për rolin e Shqipërisë në luftën Izrael-Hamas.
Ai e ka konsideruar neutral, pasi sipas Kullës, vendin ynë ka pasur marrëdhënie shumë të mira si me Palestinën që nga komunizmi dhe me Izraelin me hapjen e ambasadës.
“A mund të jemi neutral? Shqipëria ka njohur Palestinën dhe ka pasur gjithmonë ambasadë Palestineze dhe në kohën e komunizmit. Madje ka dhe palestinezë në Shqipëri, ministrat e jashtëm kanë qene në Shqipëri dhe kryeministri. Pra, ne palestinezët i kemi pasur gjithmonë në shtëpi, kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë arabët.
Në 1991 kemi njohur Izraelin, kemi lidhur marrëdhënie politike dhe diplomatike. Sot i kemi të shkëlqyera. Kemi hapur ambasadën kur ka qene Meta kryeministër, pastaj kur ishte Berisha kryeministër, ata hapën ambasadën në Tiranë. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të dyja anët dhe kjo na bën që mos të mbajmë anë”, u shpreh Kulla.
Kujtojmë që këtë të premte shënohen 14 ditë që nga nisja e luftimeve që ka shkaktuar numrin më të lartë të viktimave në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve. Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që drejtohet nga grupi i Hamasit, më shumë se sa 4137 palestinezë kanë mbetur të vrarë dhe 13,000 mijë të tjerë janë plagosur
1400 izraelitë janë vrarë, shumica nga sulmi i befasishëm i 7 tetorit nga grupi militant i Hamasit. Ushtria izraelite tha se besohet se 203 persona janë marrë peng nga Hamasi dhe po mbahen në Gazë./abcnews.al