Të paktën 100 persona u thirrën nga Prokuroria e Posaçme në cilësinë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor në ngarkim të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit që po zhvillohet në GJKKO.
Në mesin e personave që u thirrën nga organi i akuzës janë individë që më herët kanë dhënë sqarime në SPAK, por ka edhe nga ata që nuk janë marrë asnjëherë në pyetje siç është biznesmeni shqiptaro amerikan, Adrian Shatku.
Jozef Hajse, Ervis Mataj, Adrian Shatku, Pirro Xhixho, Ema Çoku, Esmeralda Shkjau, Kastriot Ismailaj, Vojsava Ismailaj, Milena Harito, Perparim Spahiu, Sokol Hysenaj, Majlind Lazimi, Agron Cela, Luan Rama, Endrit Brahimllari, Samir Mane, Petrit Vasili, Spartak Braho, Ilir Kulla, Fatos Mahmutaj, Nasip Naco, Vangjel Tavo, Lindita Troka, Baton Haxhiu, Erjol Brahimllari, Damian Gjiknuri dhe Ralf Gjoni
Një pjesë e personave që kërkoi SPAK ndodhen jashtë territorit të vendit, por do shihet mundësia për pyetjen e tyre përmes video-konferencës. Në seancën e kësaj të enjte, prokuroria e posaçme vijoi me parashtrimet.
Prokurori Sotir Kllapi tha se kompania DSIS ka lëshuar 18 fatura për ish Lëvizjen Socialiste për Integrim në shuma të ndryshme, 3 prej të cilave janë paguar nga LSI dhe 12 nga UNIFAI, në shumën rreth 280 mijë dollarë. Përveçse është produkt i korrupsionit, SPAK tha se është gjetur edhe një formë e pastrimit të parave, pasi janë servirur si pagesa të ligjshme.
“Meta ka qenë disa herë në SHBA, veç vizitave zyrtare ka pasur edhe takime të tjera jashtë agjendës zyrtare, dhe janë raportuar si shërbime nga kompania DSIS. Shërbimi i ofruar nga kompania në SHBA është e ligjshme, ndërsa mënyra e sigurimit të parave e paligjshme.”, tha ai.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do të kundërshtojnë parashtrimet e organit të akuzës, me pas gjykata e posaçme do të shprehet mbi listën e SPAK për thirrjen e rreth 100 dëshmitarëve në procesin gjyqësor. Ish-çifti i bashkëshortëve po gjykohen me procedurë të zakonshme, të ndarë nga tre të pandehurit e tjerë Ema Çoku, Piro Xhixho dhe Fatime Kryemadhi.



