BE dërgon ndihma humanitare në Gaza

schedule22:58 - 16 Tetor, 2023

schedule 22:58 - 16 Tetor, 2023

BE ka njoftuar se do të nisë një operacion ajror për të dërguar ndihma humanitare në Gaza. “Shumë fluturime” do të nisen për në Egjipt për të dërguar furnizime për organizatat humanitare në Rripin e Gazës.

Dy fluturimet e para do të zhvillohen këtë javë, duke transportuar ngarkesa humanitare nga UNICEF, duke përfshirë sende të ndryshme për strehimore, ilaçe dhe komplete higjienike, tha Komisioni në një deklaratë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, gjatë një konference për shtyp të hënën në Tiranë, tha se “palestinezët në Gaza kanë nevojë për ndihmë humanitare, ata nuk mund të paguajnë çmimin e brutalitetit të Hamasit”.

Sipas von der Leyen, BE-ja ka trefishuar ndihmën e saj humanitare në mbi 75 milionë euro për të mbështetur civilët në nevojë në Gaza. Financimi do të kanalizohet përmes partnerëve të përzgjedhur humanitar të BE-së që veprojnë në terren.

Pas sulmit të tmerrshëm terrorist nga Hamasi kundër Izraelit dhe pasojave të tij, që çuan në një situatë katastrofike humanitare për popullin e Gazës, BE-ja vazhdon të shtojë ndihmën e saj urgjente për popullin palestinez, theksoi ajo.

Ky operacion përmes Kapacitetit Evropian të Reagimit Humanitar do të lehtësojë dërgimin e ndihmave për njerëzit në nevojë në Gaza. Artikuj shtesë të urgjencës nga këto rezerva të BE-së janë të disponueshme dhe të gatshme për t’u dërguar kur kërkohet nga partnerët humanitarë.