Borrell: Zgjidhja me dy shtete për Lindjen e Mesme ka dështuar, evakuimi nga Gaza është i pamundur

schedule11:14 - 14 Tetor, 2023

schedule 11:14 - 14 Tetor, 2023

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se bota kishte dështuar në përpjekjet e saj për të arritur një zgjidhje me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët.

“Bota ka dështuar,” tha Borrell sot në Pekin, duke theksuar se nuk ka pasur sukses në zgjidhjen me dy shtete për 30 vjet.

Ai gjithashtu pranoi se ndërsa zgjidhja me dy shtete është e duhuara për izraelitët dhe palestinezët në të ardhmen, nuk do të zgjidhë konfliktin aktual që shpërtheu fundjavën e kaluar.

“Për momentin jemi dëshmitarë të një krize të rëndë humanitare në Gaza”, tha përfaqësuesi i diplomacisë europiane.

Ai përsëriti mbështetjen e tij për pozicionin e OKB-së dhe hodhi poshtë urdhërin e ushtrisë izraelite për evakuimin e 1.1 milionëve banorëve nga Gaza. Kaq shumë njerëz nuk mund të largohen në një kohë kaq të shkurtër, është “thjesht e pamundur, nuk mund të lëvizësh një vëllim të tillë njerëzish”, tha Borrell.

Izraeli ka të drejtë të mbrohet, theksoi ai, duke shtuar se kjo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Pozicioni është i qartë,” tha Borrell. “Ne sigurisht besojmë në të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten.” “Por si çdo e drejtë, ka një kufi. Dhe ky kufi është ligji ndërkombëtar”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!