“Zikaltërit” e Inter kanë hedhur totalisht poshtë atë çka ndërtuar në pjesën e parë të sfidës ndaj Bologna, me 90 minutësh e plotë që përfundoi në barazimin 2 me 2, duke i “dhuruar” secilës skuadër nga 1 pikë në përballjen e vlefshme për javën e 8 të Serie A.
Pas këtij barazimi, tekniku Simone Inzaghi kritikoi jo pak lojtarët e tij, për mungesë përqendrimi, në të dy momentet, si në penalltinë që solli golin e parë për Bologna-n, ashtu edhe në golin e barazimit të skuadrës së teknikut Thiago Motta.
“Është një barazim që na rri shumë ngushtë. E vramë shpejt ndeshjen dhe nuk duhej ta lejonim Bologna-n të futej në lojë. Gabuan tre lojtarë në vendosje, në momentin e penalltisë së shkaktuar nga Lautaro dhe më pas një tjetër moment shpërqendrimi te goli i barazimit. Tani futbollistët do të ikin me përfaqësueset e tyre, por kur të kthehen, do të ndalemi gjatë te këto gabime.
Kjo e sotmja nuk kishte lidhje me ndeshjen ndaj Sassuolo, pasi ndaj Bologna-s dhuruam dy gola për mungesë përqendrimi. Kur je në avantazh të dyfishtë, nuk mund të lejosh që kundërshtari të hyjë në lojë. Kemi lënë 5 pikë, por jemi me një tjetër ritëm nga viti i kaluar dhe nuk ka vend për alarm. Thjesht duhet të analizojmë gabimet dhe të rikthehemi”,- u shpreh tekniku “zikaltër”. /i.m /abcnews.al