Ushtrive perëndimore po u mbarojnë municionet për t’i dhënë Ukrainës, paralajmëruan zyrtarët e NATO-s dhe britanikët të martën, teksa u kërkuan vendeve të bllokut të rrisin prodhimin për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
Lajmi për mungesat e mundshme të municioneve vjen pasi paratë për blerjen e armëve për Ukrainën nuk u përfshinë në një projekt-ligj për shpenzimet që Kongresi i SHBA-së miratoi në fundjavë për të shmangur një mbyllje të qeverisë federale.
Një pasiguri për të ardhmen e ndihmës amerikane u disktua të martën kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy, i cili mbronte mbështetjen e Ukrainës, u shkarkua nga kolegët republikanë.
Zhvillimet janë lajme shqetësuese për Ukrainën pasi lufta me Rusinë fqinje është në muajin e saj të 20-të.
“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po i dërgojnë Ukrainës një gamë të gjerë municionesh, por ato nuk prodhohen apo shpërndahen aq shpejt sa duhet”, tha javën e kaluar, Thomas Warrick, anëtar i Këshillit Atlantik.
“Forcat e Ukrainës e kanë dëshmuar veten fleksibël dhe adaptive, por duhet të kenë municion dhe armë të mjaftueshme”, shkroi ai.
Por ngjarjet në Uashington po vënë në dyshim furnizimet dhe qëndrimin e Ukrainës në fushën e betejës.
/abcnews.al