“Më dukej vetja si qen, as në Shqipëri s’më lënë të vij”

schedule23:32 - 4 Tetor, 2019

schedule 23:32 - 4 Tetor, 2019

Irakli Dzaria nuk përmbahet. Mesfushori gjeorgjian, i cili ka qenë pjesë e Kukësit, tashmë luan në Maltë me skuadrën e Valleta. Këta të fundit ai i ka eliminuar në Champions League kur ishte me verilindorët, ndërkohë që zbulon se as rrogat e plota nuk ua dhanë asokohe.

“Imagjino, shënova një gol shumë të rëndësishëm në Champions kundër Valletës para një sezoni. Klubi mori 1 milion euro shpërblim, ndërsa ne nuk morëm as rrogat të plota. Më dhanë vetëm pak”, tregon për Vip Sport gjeorgjiani, i cili zbulon se as nuk i lejohet të vijë në Shqipëri.

“Safeti donte të fitonte titullin kampion, por largoi trajnerin Pacult. Realisht nuk e kuptoj këtë. Për mua Pacult ishte një trajner shumë i mirë dhe me mentalitet fituesi. A e di ti, se unë nuk kam të drejtë të vij në Shqipëri (Qesh)?

Në dy raste më kanë hapur probleme në aeroport. Jonuzi (Hallaçi) më tha që të mos shqetësohem sepse do ta zgjidhte ai këtë situatë. E bukura është se më morën paratë nga rroga ime.  Në 2 raste më morën 800 euro. Isha shumë keq, gjatë gjithë kohës kishte gjëra negative”, tregon Dzaria.

Gjithsesi ka edhe nga ata që e kanë mbështetur: “Të them të drejtën më mungojnë vetëm futbollistët. Ishin të gjithë shumë të mirë, por rëndësi ka që tani nuk kam më stres. Isha në spital për 10 ditë dhe askush nga klubi nuk erdhi të më shihte një ditë. Vetëm futbollistët kanë ardhur gjatë gjithë kohës. Erjon Bacova iku te Partizani, megjithatë më ka sjellë rroba dhe ushqim. Vetëm Nexhipi, nga drejtuesit, ka qenë për të më vizituar. Më dukej vetja si një qen i lënë në rrugë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!