“Kujdes kur rri me non grata”, ambasada e SHBA dhe BE mesazh Gazmend Bardhit

schedule15:08 - 21 Shtator, 2023

schedule 15:08 - 21 Shtator, 2023

Dy ambasadat kryesore në vend kanë rrëzuar teoritë se mbështesin Gazmend Bardhin si kryetar të grupit të PD-së. SHBA dhe BE thonë se nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të partive.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri”,” thotë ambasada e SHBA.

“Delegacioni i BE-së beson në rëndësinë vendimtare të opozitës për funksionimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, Delegacioni i BE-së nuk komenton dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive politike”, shprehet nga tjetër BE.

Ambasada amerikane shkon edhe më tej, duke i dërguar një mesazh konkret Gazmend Bardhit, i cili, së fundmi ka bashkuar forcat me Sali Berishën.

“Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla” shton ambasada e SHBA.

Reagimet erdhën pasi Gazmend Bardhi tha publikisht se të dy ambasadat e kishin kontaktuar në cilësinë e kryetarit të grupit të PD-së për të zgjidhur cështjen e Avokatit të ri të Popullit.

“Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi” thekson ambasada.

“Delegacioni i BE-së mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE. Në rastin konkret, Delegacioni i BE-së nuk ka diskutuar me anëtarët e opozitës për çështjen e papërfunduar të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga parlamenti” shton delegacioni i BE.

Avokati i Popullit nuk po zgjidhet prej 14 muajsh, për mungesë konsensusi mes palëve politike, pasi ky pozicion për traditë i është lënë opozitës dhe kandidati fitues duhet të marrë 84 vota.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!