Vazhdimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, partia në pushtet po e quan të padrejtë. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, qeveria ka përmbushur të gjitha kërkesat nga marrëveshja e Bratisllavës për shtensionimin e situatës në veri, andaj masat duhet të largohen sa më parë. Në anën tjetër, nga opozita kritikojnë kryeministrin Albin Kurti për qasje të gabuar në dialog, derisa shprehin shqetësimin se masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të ashpërsohen.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë për KosovaPress se rikonfirmimi i masave ndëshkuese të Kosovës në deklaratën e sotme të Bashkimit Evropian është i padrejtë.
Megjithatë, ai shton se për herë të parë në një deklaratë të BE-së potencohen grupet kriminale në veri dhe bllokimi i marrëveshjes për energji nga Serbia.
Sipas tij, me kalimin e kohës edhe vetë BE-ja do të nënvizojë se Serbia po e saboton marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj e sheh si shqetësuese për Kosovën deklaratën e Bashkimit Evropian për situatën aktuale të dialogut.
Ai thotë për KosovaPress se masat aktuale po e dëmtojnë Kosovën në vlerë rreth 500 milionë euro, derisa rrezikojmë që të ketë masa më rigoroze ndaj vendit.
Bashkimi Evropian, në një deklaratë për medie të martën ka nënvizuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të vazhdojnë të jenë të vlefshme. BE-ja ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia konstruktivitet në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit si dhe depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri. Në të kundërtën, BE-ja ka kërcënuar se do të vlerësojë masa të tjera të mëtejshme ndaj dy palëve nëse është e nevojshme.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç më 14 shtator kanë pasur takimin e fundit në kuadër të dialogut në Bruksel. Aty nuk pati asnjë rezultat nga takimi i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Kurti tha se ka propozuar një plan të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa ka kritikuar ndërmjetësit e dialogut dhe presidentin serb, Vuçç se kanë insistuar vetëm në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
/KosovaPress/