Tirana do të pastrohet tha kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkia do të paguajë për depozitimin e mbetjeve në Sharrë. Për t’ju përgjigjur opozitës në këshillin bashkiak Veliaj shembull mori bashkinë e Kavajës që drejtohet prej tyre.
“Bashkia e Kavajës, në 22 gusht, e ka paguar inceneratorin 122 milionë lekë. Bashkia e Kavajës që e drejtojnë këta. Këta thonë: Në Kavajë do ta bëjmë pastrimin. Këta, janë ca hipokritë që flasin gjithë ditën dhe kanë vajtur të parët të paguajnë lekët atje, sepse Kavajën nuk duan ta lënë pis, kurse Tiranën duan ta lënë pis, sepse e kuptojnë se pis e lanë. Këta janë ca hipokritë dhe është turp që çuna të rinj i japin fytyrën Saliut, që goca të reja i japin fytyrën Ilir Metës, sepse në të vetmen bashki të vogël që drejtojnë, në 22 gusht, në mes të pushimeve, vajtën e i paguan ‘xhixhat’. Këta e kuptojnë që nuk ka gjë pa lekë ”, tha Veliaj.
Miratimi i programit buxhetor afatmesëm dhe detajimi i buxhetit të këtij viti të ndryshuar të bashkisë së Tiranës ishte një prej pikave të kësaj mbledhje të këshillit bashkiak ku kryetari i bashkisë tha se një shesh do të mbajë emrin e martirit të kishës katolike Dom Shtjefën Kurti, ndërsa një rrugë do të quhet Giovanni Falcone dhe Polo Borsellino.
Bashkia e Tiranës gjithashtu do të vijojë të mbështesë studentët, të cilët mund të aplikojnë për t’u pajisur me abone falas në muajin tetor.