Qeveria do të paguajë 6 milionë dollarë për dëmet e tërmeteve, ndërsa do t’u rindërtohen shtëpitë atyre që ju janë shkatërruar në 21 Shtator. Kryeministri Rama njoftoi masat lehtësuese që ka marrë qeveria për të ndihmuar zonat e prekura. Paketa ligjore detyron ndërtuesit të sigurojnë pallatet.
Familjet e dëmtuara do të marrin ndihmën e drejtpërdrejtë nga shtetit. Qeveria ka miratuar disa ndryshime ligjore, që detyron çdo ndërtues të paguajë siguracion për 10 vjet për pallatet, duke shpëtuar banorët nga përballimi vetë i dëmeve prej fatkeqësive.
Institucionet do të kontrollojnë të gjithë ashensorët e pallateve, ndërsa kushdo që do të rindërtojë mbi banesat e dëmtuara, do të ketë thjeshtime. Ndërtesat mbi 50-vjeçare do të verifikohen dhe kontroll do të ushtrohet mbi të gjitha objektet publike. Familjet, banesat e të cilëve janë shkatërruar totalisht do t’u falen faturat e ujit dhe dritave.
Kryeministri ende nuk ka një faturë totale se sa do të kushtojnë dëmet e tërmetit të 21 Shtatorit, por rikuperimet do të bëhen edhe me ndihmë të shteteve të tjera apo bankave të huaja./ABC News Albania 24/7