Portugali: Debat kundër konsumit të drogave të forta

schedule08:26 - 8 Shtator, 2023

schedule 08:26 - 8 Shtator, 2023

Meqenëse përdoruesit e drogave i injektojnë drogat me shiringa në mjedise publike si oborret e shkollave, apo pranë zonave të banimit shumë vetë po kërkojnë tani mbrojtje më të madhe për pjesën tjetër të popullsisë, që shqetësohet nga imazhet e pakëndshme: Letra të djegura alumini, pjesë shiringash, gjak, këto janë dëshmi të konsumit të drogës në rrugët dhe parqet e Portos.

Me skena të tilla përballet thuajse përditë Cristiano Silva jeton në një lagje të mirë të Portos, qytetit të dytë për nga madhësia të Portugalisë. Por drogaxhinjtë kanë vërshuar edhe në këtë lagje: „Kjo tregon mungesë respekti ndaj pjesës tjetër të shoqërisë. Drogaxhinjtë konsumojnë drogëra në mes të rrugës. Po të mos të të pëlqejë një gjë e tillë, duhet të ndryshosh rrugën. Dhe nëse thua se kjo gjë nuk shkon, atëherë ata bëhen të dhunshëm.”

Në vitin 2001, Portugalia legalizoi të gjitha drogërat, pavarësisht nga rrezikshmëria e tyre. Kush ka me vete më shumë se dhjetë racione ditore, rrezikon të gjobitet. Vetëm kush bën biznes me drogën, futet në burg.

Ofertat për trajtimin e të droguarve të pamjaftueshme

Tregtia e drograve është e ndaluar, prandaj ajo zhvillohet kryesisht me dyer të mbyllura. Edhe konsumi në publik nuk lejohet, por ai rrallë ndiqet me pasoja ligjore. Sindikalisti i policisë Hugo Moreira: „Problemi hasim gjithnjë e më shpesh situata të tilla, që kur nuk lejohemi më t’i arrestojmë konsumatorët. Policia i ka duart e lidhura.”

Atij që kapet i mundësohen oferta terapie. Dhe qendrat e drogës, mendohet se mund t‘i nxisin konsumentët të largohen nga rruga. Por në Porto ka vetëm një qendër të tillë.

Psikologia, Diana Castro, është krenare për ligjin portugez të drograve. Ajo thotë, se ky ligj është një nga rrugët për të larguar të prekurit nga zonat e errëta. E tek e fundit numri i të vdekurve nga drogat është tani më i ulët: „Kur konsumi i drogave kriminalizohet, atëherë të varurit prej drograve nuk shihen nga shoqëria dhe nuk përfitojnë nga shërbimi mjekësor, thjesht sepse ata shihen si kriminelë dhe jo si njerëz në nevojë.” Por me sa duket nuk ka oferta të mjaftueshme të kujdesit shëndetësor. Kritikët druhen për sigurinë publike.

Kërkohen masa më të ashpra

Për Patricia Rapazote-n gjendja është e padurueshme. Ajo është kryetare e lagjes Ramalde, një nga lagjet me probleme të Portos. „Kjo ndjenja e frikës, që njeriu kthen kokën dhe sheh nëse ka dikë nga mbrapa, është e padurueshme. Ne kemi nevojë për më shumë polici dhe më shumë patrullim në rrugë.”

Sindikata e policisë kërkon po ashtu marrjen e masave më të ashpra. Hugo Moreira: „Ne bëjmë punën tonë, dalim në rrugë. Por kjo nuk ka pasoja. Unë mendoj se ne na duhet një institucion që të marrë të prekurit dhe t’i detyrojë të trajtohen, një institucion me mjetet e nevojshme financiare dhe me profesionistët e duhur, që të shoqërojnë këta njerëz.”

Pas 20 vjet politike liberale droge, ka ardhur koha për të vepruar, thotë banori Cristiano Silva. Për shkak të kujdesit të madh për të varurit nga droga, nuk duhet harruar mbrojtja e pjesës tjetër të popullsisë. „E gjithë kjo çon në ndjenjën e mungesës së ligjit dhe që dikush mund të bëjë çfarë të dojë. Kjo është një spirale shumë e rrezikshme.” Ndërkohë qetësia është shtuar në lagjen e tij, që kur policia ndërmori një aksion të gjerë. Por një pjesë e skenës së drogës ka shkuar në një lagje tjetër. Kështu, Porto nuk po shpëton nga ky problem./DW

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!