Presidenti i samitit të ardhshëm të klimës COP28 këtë të martë ka theksuar se bota po humb betejën për objektivat e ndryshimit të klimës, ndërsa presidentët afrikanë u mblodhën në Kenia për të diskutuar se si të financohet axhenda mjedisore e kontinentit.
Vlerësimi i zymtë nga Sulltan Al Jaber, i cili do të kryesojë një samit në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në fund të nëntorit, vjen tre ditë përpara se Kombet e Bashkuara të publikojnë “raportin e parë global”, një vlerësim se si po bëjnë vendet për të trajtuar ndryshimet klimatike.
“Ne nuk po japim rezultatet që na duhen në kohën që na duhen,” u tha Sulltan Al Jaber, i cili gjithashtu drejton Kompaninë Kombëtare të Naftës në Abu Dhabi, para delegatëve në Samitin inaugurues të Afrikës për Klimën në kryeqytetin kenian, Nairobi.
Samiti, i cili filloi të hënën, është fokusuar në mbledhjen e fondeve për përgjigjen e Afrikës ndaj krizës klimatike. Ndërsa Afrika po vuan disa nga ndikimet më të rënda të ndryshimeve klimatike, kontinenti po merr vetëm rreth 12% të fondeve që i nevojiten për të përballuar, sipas studiuesve.
Investimet prej qindra milionë dollarësh në projekte të zhvillimit të qëndrueshëm u njoftuan të hënën, ndërsa të martën sulltani arab njoftoi se Emiratet e Bashkuara Arabe kishin premtuar 4.5 miliardë dollarë për të zhvilluar 15 gigavat energji të pastër në Afrikë deri në vitin 2030./abcnews.al