Mesatarja për mësuesinë mbyll disa gjuhë të huaja në Universitetin e Tiranës

schedule14:30 - 30 Shtator, 2019

schedule 14:30 - 30 Shtator, 2019

Mesatarja 7.5 e vendosur nga Ministria e Arsimit për të nisur studimet e larta në degët e mësuesisë ka futur në krizë fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Disa degë rrezikojnë të mbyllen, ndaj dekani Artur Sula kërkon ndërhyrjen e Ministrisë në raundin e tretë të regjistrimeve.

Auditoret e disa prej gjuhëve të huaja në Universitetin e Tiranës  këtë vit akademik do të kenë një pamje të ngjashme. Madje ka prej tyre që rrezikojnë të mbyllen. Në gjuhën ruse nuk ka asnjë student të regjistruar. Për greqisht kanë shprehur interesin të studiojnë vetëm katër persona, ndërsa për turqisht shtatë vetë.  Kjo është panorama në këtë fakultet pas mbylljes së raundit të parë të regjistrimeve ku kuotat nuk kanë arritur të plotësohen as për gjuhë tepër të kërkuara si anglishtja apo gjermanishtja.

Mesatarja  7.5 vendosur këtë vit nga Ministria e Arsimit për të nisur studimet në degët e mësuesisë tregon Dekani Sula, ka futur në krizë fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës.

Më 30 shtator kanë nisur të regjistrohen në Universitete studentët që janë shpallur fitues në raundin e dytë të aplikimeve,  por dhe me përfundimin e kësaj faze Dekani Sula shpjegon se disa prej degëve do të kenë numër minimal studentësh, ndërsa zgjidhjen e  sheh tek Ministria e Arsimit.

Në fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës nga 810 kuota të lira vetëm 405 janë plotësuar. /ABC News Albania 24/7