Partizani është kthyer në makthin e Tiranës. Të kuqtë fituan sërish dhe pathyeshmëria e kampionëve në derbin e kryeqytetit vijon prej 17 shkurtit të vitit 2014.
Rreth derbit, ndeshjes dhe trajnerit Lerda ka folur edhe Olsi Rama. Drejtori i përgjithshëm zbulon një prapaskenë për sulmuesin Solomon, komenton garën e fortë për titullin kampion dhe e mbyll me një koment për koreografinë e tifozëve të Tiranës, ku shfaqeshin dy partizanë duke u varë në litar.
TRIUMFI – “Derbi është një ndeshje ku lojtarët motivohen më kollaj se në takimet normale, ndonëse nuk duhet të jetë kështu, pasi çdo fitore vlen 3 pikë. U bë edhe më “pikante” sfida këtë herë pasi pritëse ishte Tirana, por ndonëse ishte një takim mjaft i bukur dhe i luftuar, ne treguam supermacinë tonë dhe arritëm të merrnim fitoren. U komplikua pak në minutat e fundit, megjithatë rëndësi ka që morëm 3 pikët dhe shkuam në grupin e kryesuesve.”
LERDA – “Në fakt gjërat nuk varen vetëm nga rezultatet, por edhe nga loja. Unë kam shumë durim dhe e di se çdo gjë do kohën e vet, për të arritur në kohën dhe vendin e duhur. Edhe presidenti Demi nuk është ndikuar nga rezultatet e këtij fillim-sezoni, pasi kampionati është i vështirë dhe normal që pranohen edhe hapat fals. Synimi ynë është të përmirësojmë lojën, pasi kemi bërë blerje për të rritur nivelin e ekipit kampion të Shqipërisë.”
SOLOMON – “Jo vetëm Solomon, por edhe Brown është një sulmues i spikatur, që mund të kontribuojë në çdo moment. Bardhi tregoi formën e tij vitin e kaluar dhe do të ketë hapësirat e tij këtë sezon, ashtu si edhe vëllai i Ekubanit, që po punon mirë dhe po rritet. Solomonin e kam kërkuar edhe vjet, por nuk ia dola dot. Këtë vit u bind dhe u ofrua vetë, pasi pa suksesin tonë. Është një lojtar shumë i fortë fizikisht, por edhe teknikisht, cilësi që i tregoi edhe sot.”
RIVALËT PËR TITULL – “Unë shoh brenda shtëpisë time dhe shoh brenda Partizanit, që të arrijë maksimumin. Megjithatë mendoj se ky fillim kampionati nuk tregon shumë, por ka rritje cilësore te skuadrat e kreut. Kukësi ka një skuadër më cilësore se vitin e kaluar, ndërsa edhe Teuta po bën ndeshje mjaft të mira. Tirana është pretendente, përpos dy humbjeve të fundit, pasi ka një ekip cilësor veçanërisht në sulm. Mos u habisni as nga skuadrat e vogla, si Bylisi, që po bëjnë surpriza.”
KOREOGRAFIA – “Është vetëm një pakicë që bën këto akte të shëmtuara. Nuk e dija rregulloren, por më thanë që ne mund të kërkonim të mos fillonte ndeshja, pa u ulur banderola. Ishte një akt i rëndë, pasi ne duhet të nderojmë gjakun e atyre partizanëve që derdhën gjakun për lirinë e vendit.” /abcnews.al