Haradinaj: Serbia po ‘flet’ me gjuhën e së kaluarës, duhet të ndalë kërcënimet ndaj vendeve që na kanë njohur

schedule21:44 - 21 Gusht, 2023

schedule 21:44 - 21 Gusht, 2023

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj thotë se Serbia po flet me gjuhën e së kaluarës, kur shkaktoi tragjeditë që ende mbeten një plagë për popujt në Ballkan. Ai thotë se Serbia duhet t’i ndalë kërcënimet ndaj vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe të mos harrojë që ka një marrëveshje për të zbatuar.

“Serbia po flet me gjuhën e të fuqishmit dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën, dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën. Kjo gjuhë i takon të kaluarës dhe kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit.

Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën. Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t’i kthehet gjuhës së arsyes.

Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike. Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga “status quo” në të cilën gjendet.”, ka shkruar Haradinaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!