Koreja e Veriut urdhëron rritjen e prodhimit të raketave, disa ditë përpara stërvitjeve SHBA-Kore e Jugut

schedule09:46 - 14 Gusht, 2023

schedule 09:46 - 14 Gusht, 2023

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka urdhëruar rritje të prodhimit të raketave gjatë vizitave të tij në fabrikat e armëve, pak ditë para se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut të nisin ushtrimet e përbashkëta ushtarake.

Kim vizitoi fabrikat të premten dhe të shtunën, pak pasi kishte bërë thirrje për përshpejtimin e përgatitjeve për luftë gjatë një takimi të rëndësishëm me ushtrinë javën e kaluar.

Kim theksoi nevojën “për të siguruar rritjen e prodhimit të predhave, po ashtu”, si dhe personalisht lëvizi me një automjet të blinduar luftarak, sipas agjencisë së lajmeve.

Ushtria e Koresë së Veriut duhet ta ketë një “forcë dërrmuese ushtarake” dhe të jetë “plotësisht e përgatitur për t’i bërë ballë çfarëdo luftë në çfarëdo momenti” kundër armikut, ka thënë Kim.

Kim i bëri këto komente dhe inspektime në një kohë kur Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara po përgatiten për stëvitje të përbashkëta ushtarake “Ulchi Freedom Shield”, i cili do të mbahet nga 21 gushti deri më 31 gusht.

Koreja e Veriut i ka cilësuar këto stërvitje si përgatitje për pushtim, prandaj ka paralajmëruar për hapa të jashtëzakonshëm si kundërpërgjigje.

Liderët nga Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia do ta mbajnë, po ashtu, një samit trepalësh të premten në Uashington, pasi synojnë ta forcojnë bashkëpunimin për sigurinë, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së kërcënimeve bërthamore dhe raketore nga Koreja e Veriut.

Javën e kaluar, Kim udhëhoqi një takim me zyrtarë të lartë ushtarakë, duke iu bërë thirrje atyre të përgatiten për luftë “në mënyrë ofensive”, si dhe ta rrisin prodhimin e armëve dhe të bëjnë më shumë stërvitje ushtarake.

/abcnews.al