Këshilltarja e kryeministrit Kurti: Më ndaloi policia serbe në kufi

schedule14:50 - 7 Gusht, 2023

schedule 14:50 - 7 Gusht, 2023

Këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani, ka thënë se u ndalua për “mbi një orë” nga policia serbe në kufi me Kosovën të hënën.

Sinani tha se policët kufitarë serbë e ndaluan më 7 gusht në pikëkalimin Muçibabë, rreth 20 kilometra larg Gjilanit në juglindje të vendit.

“Arsyetimi i vetëm që mu dha nga policët kufitarë të Serbisë ‘Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza’”, shkroi Sinani në Facebook.

Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë tri komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë nuk ishte e qasshme për koment rreth këtij rasti.

Ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, u ankua se u ndalua pa “asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin.”

“Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jet mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shkroi ajo.

Ky rast, nënvizoi ajo, sigurisht se do të jetë vetëm “shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë” për diskriminimin shtetëror serb ndaj shqiptarëve.

“E ndalimi nga policia në kufi, është vetëm njëra ndër to, e që është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politik të udhëheqësve aktual të Serbisë”./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!