Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës dhe një tjetër që është cilësuar dhe si kreu i grupit kriminal të mashtrimit është shpallur në kërkim.
Sipas policisë mësohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin tentuan që të përfitonin një shumë të madhe parash, nëpërmjet mashtrimit, nga një shtetas biznesmen, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve.
Në kuadër të operacionit “Replay” u arrestuan Afrim Radici 34 vjeç, Gezim Çelanji 41 vjeç dhe Qazim Vata 22 vjeç.
Shpallet në kërkim 40-vjeçari, Florian Gjergji i dyshuar si organizator i kësaj skeme mashtrimi. Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 35 000 euro, duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve, me emra të ndryshëm.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 5 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al