Vetëvrasja e asistuar, gjykata në Itali merr vendimin historik

schedule14:29 - 26 Shtator, 2019

schedule 14:29 - 26 Shtator, 2019

Gjykata Kushtetuese në Itali, ka marrë një vendim të konsideruar si historik, duke lejuar vetëvrasjen e asistuar në disa paciente që mbahen në jetë me aparatura. Tashmë, Parlamenti duhet të miratojë një ligj të posaçëm për këtë çështje.

Për Gjykatën Kushtetuese italiane është e ligjshme ndihma në një vetëvrasje në raste si ai i Dj Fabos. Një vendim historik i Gjykatës së Lartë që i jep dritën jeshile vetëvrasjes së asistuar, por duke i kërkuar parlamentit të hartojë dhe të miratojë sa më parë një ligj për këtë çështje. Mos ndëshkueshmëria në këtë rast do të rregullohet sipas një marrëveshjeje të caktuar.

Për gjykatën nuk është i ndëshkueshëm personi që ndihmon në vetëvrasje, në momentin që personi e ka vendosur në mënyrë autonome dhe në liri të plotë, dhe në rastet ku pacienti mbahet në jetë me aparatura për shkak të një patologjie të pakthyeshme.

Gjykatës Kushtetuese i ishte kërkuar nga gjykatësit në Milano në vitin 2017, në kuadër të procesit të aktivistit të të drejtave të njeriut Marko Kapato i cili kishte ndihmuar Fabiano Antoniani i njohur si DJ Fabo, i mbetur tetraplegjik si pasojë e një incidenti, të vdiste duke e shoqëruar në një klinikë në Zvicër.

Dj Fabo, mbahej në jetë nga aparaturat në Itali dhe mund të fitonte vetëm ndërprerjen e mjekimit jetësor për të vdekur mes vuajtjeve të frikshme. Por ai zgjodhi të vdiste me anë të vetëvrasjes së asistuar në një klinikë zvicerane në 27 Shkurt të 2017-ës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!