Hjustoni kryesues mundet në fushën e Lejkërsave

schedule12:19 - 21 Dhjetor, 2017

schedule 12:19 - 21 Dhjetor, 2017

Një yll i ri ka nisur të shkëlqejë në basketbollin amerikan. Kajl Kuzma ndihmoi Los Anxhelos Lejkërsat në fitoren ndaj Hjustonit, dhe shpresohet që të ndjekë gjurmët e legjendës Kobi Brajant.

Është vetëm 22 vjeç dhe ka krijuar shpresa të mëdha.

Edhe basketbolli amerikan jeton me yjet, dhe një brez i ri duket se po shfaqet pas atij të Lebron Xhejmsit apo Kobi Brajantit.

Njëri prej këtyre yjeve të rinj e tregoi veten në arenën e famshme “Stejpëlls Sentër” në Los Anxhelos, në fitoren që Lejkërsat arritën ndaj Hjustonit.

Kajl Kuzma udhëhoqi ekipin edhe pse është vetëm në sezonin e parë në NBA.

Shënoi 38 pikë në 39 minuta lojë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 4 asiste, si dhe bllokoi një gjuajtje të kundërshtarëve.

Kuzma shkëlqeu në një skuadër të ndërtuar për të ardhmen, në radhët e së cilës ka shumë basketbollistë të rinj.

Brjuer, Nens, Boll apo Ingram luajtën edhe ata shumë mirë, në një përballje ndaj Hjustonit kryesues, pra ekipit më të fortë të momentit në NBA.

Triumfi ishte me shifrat 122-116, një sukses që vlen më shumë për moralin sesa për klasifikimin, pasi Lejkërsat kanë 11 fitore e plot 18 humbje.

Tifozët shpresojnë që Kuzma të bëhet pasardhësi I Kobi Brajantit dhe që Lejkërsat të rivalizojnë Golden Stejtin, në një derbi të Kalifornisë.

Hjustoni, ndërkaq, u detyrua të bënte një ndalesë, edhe pse ylli I saj, Xhejms Harden, ishte padyshim më I miri në fushë.

Harden shënoi 51 pikë, kapi 3 topa në tabela, shërbeu 9 asistë, vodhi një top dhe bllokoi një gjuajtje, por nuk e pati këtë herë mbështetjen e zakonshme nga Kris Pol./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!