TEPELENË- Së shpejti, portali qeveritar e-Albania do t’u flasë qytetarëve me zë e figurë, duke i ndihmuar teksa ata hyjnë në sistem për të marrë shërbime. Kjo do të mundësohet, siç tha Kryeministri Rama, nga përdorimi i inteligjencës artificiale.
“Po ashtu jemi duke transformuar e-Albania. Ju do shikoni që e-Albania në fillim të sezonit pas pushimeve do të komunikojë me qytetarët. Do të komunikojë me qytetarët njësoj si ChatGPT, pra nuk do ketë më nevojë për helpdesk-un e e-albania. Qytetari që do të hyjë në e-Albania do të jetë i shoqëruar nga inteligjenca artificiale njësoj si të ishte i shoqëruar nga dikush mbrapa ekranit që i shkruan, në kohë reale. “Dua të bëj këtë licencë, dua të bëj këtë shërbim”. Dhe po kështu dhe bashkëqeverisjen do ta fusim në këtë proces dhe besoj se brenda vitit ne do kemi dhe shoqëruesin virtual me zë dhe me figurë, pra e-albania nuk do të jetë më thjeshtë më shkrim, por do të marrësh në “facetime” do komunikosh me e-Albania dhe ai personi që nuk është një person real, por që është një person që i di të gjitha ato që duhet të dijë për nevojat e tua do të drejtojë kliko këtu, kliko aty, shkruaj këtu, shko aty dhe do kryesh shërbimin”, tha ai.
Mbledhja dy ditore në Tepelenë e ka ndihmuar qeverinë të krijojë një plan të ri veprimi, por kryeministri nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse kjo përfshin edhe ndërrimin e ministrave.
“Ne gjithmonë kemi tendencën t’i lidhim reformat me njerëz, me persona dhe me lirime e emërime apo dhe me shkarkime”, shtoi Rama.
Mohoi që Damian Gjiknurin ta ketë shkarkuar si Sekretar të Përgjithshëm prej përfshirjes së tij në dosjen hetimore të SPAK.
“Po të nisemi në vendimmarrjet tona nga thashethemet apo nga përfshirjet paraprake të kujtdo qoftë në një proces analize qoftë dhe hetimore, atëherë unë nuk di kush mbetet këtu në këtë vend pa u bërë pis”, shtoi Rama.
Kryeministri paralajmëroi një zhvillim të ri pozitiv në fushën e energjisë, por nuk dha detaje, duke thënë se është ende kofidenciale../ n.m.abcnews.al