Izraelitët rikthehen në rrugë për të protestuar kundër reformave në gjyqësor

schedule22:42 - 27 Korrik, 2023

schedule 22:42 - 27 Korrik, 2023

Mijëra izraelitë u rikthyen në rrugët e Tel Avivit të enjten në mbrëmje, për të protestuar kundër votimit të disa ndryshimeve kyçe në gjyqësorin nga Parlamenti i vendit, të cilat e kanë ndarë vendin dhe kanë nxitur kritika nga aleatët e huaj.

Të hënën, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe aleatët e koalicionit të tij e kaluan projektligjin me ndryshime kontroverse në Parlament, i cili hap rrugën për një qeveri më autoritare.

Ky projektligj e kufizon klauzolën e “arsyeshmerisë” që përdorej nga Gjykata Supreme për t’i rrëzuar vendimet e Qeverisë, të cilat gjykatësit i cilësonin si jokushtetuese.

Duke valëvitur flamuj izraelitë dhe duke brohoritur “demokraci, demokraci!”, protestuesit vërshuan rrugët e Tel Avitit të enjten në mbrëmje, i cili ka qenë kryeqendra e protestave qëkur Netanyahu e shpalosi për herë të parë pakon për ndryshimet në gjyqësor në janar.

Reformat kontroverse e kanë ndarë vendin në dysh dhe kanë nxitur njërën prej lëvizjeve më të mëdha protestuese në historinë e Izraelit.

Të hënën, ligjvënësit e kaluan projektligjin me 64 vota pro në Parlamentin me 120 ulëse, pasi deputetët e opozitës e bojkotuan votimin, duke bërtitur “turp, turp”.

Koalicioni qeveritar i Netanyahut, i cili përbëhet nga partia e ekstremit të djathtë dhe ajo ultra-ortodoks dhe hebre, argumenton se ndryshimet e propozuara nevojiten për të siguruar pushtet më të baraspeshuar mes zyrtarëve të zgjedhur dhe gjykatave.

Izraelitët protestuan deri natën vonë pas votimit të hënën, ndërsa policia kishte përdorur topa uji për t’i shpërndarë ata.

Dhjetëra protestues ishin arrestuar.

Ndryshimi në klauzolën e “arsyeshmerisë” është komponenti i parë i madh i pakos së reformave që u bë ligj.

Ndryshimet e tjera të propozuara përfshijnë edhe mundësimin e një qëndrimi më të fortë të Qeverisë në emërimin e gjykatësve.

Kritikët e akuzojnë Netanyahun, i cili është në gjykim nën akuzat për korrupsion të cilat i mohon, se po përpiqet t’i përdorë reformat për t’i parandaluar gjykimet e mundshme ndaj tij.

Ai i mohon këto akuza.

Klauzola e “arsyeshmerisë” ishte përdorur më së fundmi nga Gjykata Supreme për ta detyruar Netanyahun ta përjashtojë anëtarin e kabinetit nga partia ultra-ortodokse, për shkak të dënimit për shmangie tatimore. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!